Deputeti Blendi Klosi ngre zërin për mungesën e një porti jahtesh në një nga qytetet kryesore turistike të Shqipërisë, Durrësit. Ai thotë se në vendin ku do të ndërtohej ky port, qeveria, në kundërshtim me ligjet, vendosi ndërtimin e portit të peshkimit që duhej të ngrihej në një zonë tjetër. “Moratoriumi i skafeve është dhe një nga arsyet që këtij qyteti i mungon turizmi elitar. Në kontrast me këtë realitet që kërkohet nga turistët shqiptarë apo të huaj, vendi ynë po kthehet në një oaz plehrash. Shikoni Durrësin, shikoni një nga zonat elitare turistike të këtij qarku, Ishmin, ku në mes të plehrave humbën jetën 2 të rinj që kërkonin bukën e gojës”,- shprehet deputeti socialist Klosi në një intervistë për gazetën “Dyrrah”. Duke shpjeguar arsyet se pse opozita kërkon në parlament shfuqizimin e moratoriumit të skafeve, Klosi ndalet edhe në atë që ai e sheh si indiferencë të qeverisë Berisha për komunën e Ishmit, një komunë me resurse të mëdha, jo vetëm turistike, por që po kthehet në një vend të depozitimit të mbeturinave urbane, në një bombë ekologjike, që do të shkaktojë probleme të mëdha për një turizëm të suksesshëm në këtë vend.

Cilat janë arsyet që opozita kërkon heqjen e moratoriumit të skafeve?

Shqipëria është një nga dhjetë vendet europiane me dalje në detin Mesdhe. Ky pozicion gjeografik ka ndikuar pozitivisht në mirëqenien e fqinjëve tanë për shkak të zhvillimit të turizmit. Në këtë sens, dua të them se turizmi është një resurs i madh për zhvillimin e vendit. Perspektiva e vendit tonë nuk është as industria dhe as bujqësia, por turizmi. Në këtë kuadër, moratoriumi i skafeve nuk është gjë tjetër veçse një bllokim që i bëhet zhvillimit të këtij sektori jetik për zhvillimin e vendit tonë. Mendoj se ligji për moratoriumet është antikushtetues që nga viti 2006.

Pse shikoni anën e errët të problemit, kur ky moratorium ka frenuar trafiqet dhe kontrabandën?

Nuk mendoj se përbën arsye bllokimi i lëvizjes së skafeve, pasi të mohosh të drejtat nuk është një zgjidhje e drejtë, pavarësisht nga qëllimi që mund të kesh. Mendoj se nëse fillimisht ishte një moratorium i detyruar, përsëritja e tij është absurde. Në kushtet kur është bërë liberalizimi i vizave, në kushtet kur kufijtë pretendohet se kontrollohen me një sistem dixhital të unifikuar, në kushtet kur shqiptarët kanë dokumente biometrike është e padrejtë dhe e palogjikshme të mbahet ende në fuqi memorandumi. Ka dy probleme. Ose ne nuk kontrollojmë kufijtë ajrorë dhe tokësorë dhe ka rrezik që të lëvizin klandestinë (për këtë arsye nuk e shfuqizojmë këtë moratorium), ose ne pranojmë që bllokojmë zhvillimin e turizmit në këtë vend.

Në fakt statistikat flasin kundër. Si e shpjegoni faktin që evidentohen zyrtarisht 3,5 milionë turistë në vitin 2011?

Turistë, sipas statistikave që prezanton qeveria shqiptare, quhen dhe ata shtetas shqiptarë që kalojnë për në Kosovë dhe kthen përsëri, quhen transportuesit e perimeve nga Maqedonia drejt Italisë që udhëtojnë tre herë në ditë, po kështu quhen turistë shoferët e fasonëve që lëvizin me tragete dhe kështu me radhë. Të gjithë këto quhen turistë.

Nëse ne do të kishim 3 milion e 500 mijë turistë, i binte që secili nga ne të kishte nga 10 turistë në shtëpi. A nuk ju duket kjo gjë qesharake? Shikoni pak fuqinë akomoduese në Velipojë, në Shëngjin me pallate 12 katëshe të papërfunduara dhe pa rrugë. Po kështu në Spille, Orikum etj. Ne na mungojë resortet turistike me 5 yje, në një kohë që Mali i Zi afër nesh ka me dhjetëra. E filluam turizmin në të njëjtën kohë dhe me të njëjtat ligje me Antalian, Turqi dhe shikoni ku jemi ne dhe ku janë ata. A e dini ju se çfarë pasojash ka pasur një qytet turistik si Durrësi nga moratoriumi i skafeve?

 

Turizmi është një resurs i madh për zhvillimin e vendit. Perspektiva e vendit tonë nuk është as industria dhe as bujqësia, por turizmi. Në këtë kuadër, moratoriumi i skafeve nuk është gjë tjetër veçse një bllokim që i bëhet zhvillimit të këtij sektori jetik për zhvillimin e vendit tonë. Mendoj se ligji për moratoriumet është antikushtetues që nga viti 2006. Në kushtet kur është bërë liberalizimi i vizave, në kushtet kur kufijtë pretendohet se kontrollohen me një sistem dixhital të unifikuar, në kushtet kur shqiptarët kanë dokumenta biometrike është e padrejtë dhe e palogjikshme të mbahet ende në fuqi memorandumi

Një nga qytetet kryesore turistike të Shqipërisë, Durrësi, nuk ka një port jahtesh, madje në vendin ku do të ndërtohej ky port qeveria, në kundërshtim me ligjet vendosi ndërtimin e portit të peshkimit që duhej të ndërtohej në një zonë tjetër. Moratoriumi i skafeve është një nga arsyet që këtij qyteti i mungon turizmi elitar. Në kontrast me këtë realitet që kërkohet nga turistët shqiptarë apo të huaj, vendi ynë po kthehet në një oaz plehrash. Shikoni Durrësin, shikoni një nga zonat elitare turistike të këtij qarku Ishmin, ku në mes të plehrave humbën jetën 2 të rinj që kërkonin bukën e gojës.

Nuk mund të bëhet politikë me fatkeqësinë e dy të rinjve…

Jo, kjo nuk është politikë, por realitet i dhimbshëm pasi ata të rinj po punonin për të siguruar bukën e gojës. Ata humbën jetën mes masivit të plehrave të lumenjve që ky shtet nuk i menaxhon dot dhe Shqipërinë po e kthen në vend grumbullimi të plehrave. Si mund të flasim në këto kushte për turizëm.

Ishte kjo fatkeqësi që më bëri të shkoja në një komunë shumë të zhvilluar nga pikëpamja natyrore, në një komunë shumë të begatë, në një komunë të shkëlqyer të këtij vendi, në komunën e Ishmit. Kjo komunë ka 8 mijë banorë, ka 100 km katrorë sipërfaqe, ka një sipërfaqe pyjore prej 5 mijë hektarësh, ka sipërfaqe toke bujqësore prej 5 mijë hektarë. Komuna e Ishmit është një komunë e cila ka rreth 28 km vijë bregdetare, ka 300 metra zonë rëre.

Është 28 km nga qendra e Tiranës, 28 kilometra nga qendra e Durrësit. Është një zonë e cila ka vlera kulturore. Në këtë zonë me kaq shumë resurse, ka dy fshatra; një fshat i milionerëve shqiptarë dhe një fshat fukara. Isha atje në dy familje të asaj zone, dem baba dem ishmak të vjetër, kanë humbur 2 fëmijë nga 20 vjeç, të mbytur nga të tjerë, jo në kuptimin figurativ të fjalës, por të mbytur nga të tjerë, duke i dërguar në lumin e Ishmit.

Një lumë i cili ka qenë një lumë i kulluar, ka qenë një nga vlerat më të mëdha të asaj zone, por që sot është kthyer në një bombë ekologjike. Ka me tonelata mbetje urbane në atë zonë. Kjo zonë ka edhe një fshat shumë të bukur, fshatin Likmetaj me një bregdet të mrekullueshëm. Çfarë është sot ai fshat?! Sot është një bombë ekologjike. Sot, aty mund të mbyten njerëz të tjerë duke kërkuar kanaçe. 

Fermerët që jetojnë aty si në të gjithë fshatrat e tjerë të Shqipërisë nuk kanë mundësi të blejnë makineri bujqësore, nuk kanë mundësi të punojnë tokën, sepse çmimet kanë vajtur aty ku s’mban më. Fukarallëku i tyre nuk mund të luftohet pa mbështetjen e qeverisë.

Z. Klosi, si e shpjegoni faktin që dhe bashkia e Durrësit nuk po bën gjë konkrete për menaxhimin e mbetjeve në zonën periferike të Durrësit?

Unë mendoj dhe jam i bindur që Bashkia e Durrësit po bën maksimumin, jo vetëm për t´i dhënë një look perëndimor qytetit me investimet në infrastrukturë, por dhe në drejtim të mjedisit. Ajo që dua të them është se miratimi me tarifa të ulëta i paketës fiskale e ka kufizuar në maksimum buxhetin e saj për të pastruar zonat periferike.

Gjithsesi, edhe në këto kushte, po bëhet maksimumi ndonëse është përgjegjësi e qeverisë, e cila ndjek politika bllokuese ndaj bashkisë dhe ka bërë që situata e menaxhimit të plehrave masive në shkallë qarku të shkojë në kufijtë e daljes nga kontrolli. Të mos harrojmë se kësaj qeverie nuk i mjafton as kjo, pasi kërkon që të importojë dhe plehrat e botës. Bashkia e Durrësit është shprehur prej kohësh kundër kësaj tentative mafioze që kërkon ta kthejë Shqipërinë në koshin e plehrave të Europës.