Mbajtja në fuqi e moratoriumit të skafeve është çmimi që duhet të paguajnë shqiptarët në këmbim të lirisë së lëvizjes dhe integrimit në Bashkimin Europian. Ky është mendimi i deputetit të qarkut të Durrësit, Osman Metalla, njëkohësisht një nga ekspertët në çështjet e detit. Ndërkohë, duke u ndalur tek deklarata e Vangjel Dules, kryetarit të PBDNj-së, i cili flet për konspiracion në ndarjen e kufijve me Greqinë, Metalla i konsideron ato diletante dhe të pasakta. Sipas tij ndarja e kufirit detar është çështje e së drejtës detare ndërkombëtare, Ligjit të Detit (apo siç njihet ndryshe konventës së Montego Bay-t) dhe marrëveshjeve bilaterale ndërmjet palëve dhe jo e ndonjë konspiracioni ndërkombëtar.

Si e shpjegoni faktin që qeveria shqiptare dhe pas liberalizimit të vizave nuk shfuqizoi moratoriumin e skafeve. A nuk është ky një dëm i madh për turizmin?

Unë mendoj se moratoriumi ka pasur efekt në drejtim të përmirësimit të imazhit të vendit. Nëse do të kthehemi pas në kohë, në vitin 2005, na rezulton se imazhi i vendit tonë ishte i dëmtuar rëndë nga trafiku klandestin dhe ai i drogës, krimi i organizuar, kontrabanda etj. Mazhoranca mori përsipër luftën kundër trafiqeve dhe kontrabandës si një nga masat për të luftuar këtë fenomen që po dëmtonte imazhin e vendit dhe integrimin në strukturat euro-atlantike dhe BE.

Në dy vitet e para ne patëm rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, ku me dhjetëra organizata kriminale u vendosën para ligjit. Pavarësisht kësaj, lëvizja e trafikut klandestin dhe drogës me mjete të shpejta e bëri të domosdoshme vendosjen e moratoriumit për bllokimin e skafeve. Mos harrojmë se këto skafe kanë çuar në fund të detit me dhjetëra njerëz.

Po t´i referohemi raporteve të ndërkombëtarëve nga viti 2005 deri në 2007, Shqipëria paraqitej problematike përsa i përket trafiqeve. Në raportin e departamentit amerikan të shtetit citohej se Shqipëria nuk plotësonte as kriteret minimale në luftën kundër trafikut. Pas vendosjes së moratoriumit të skafeve pati një rënie të menjëhershme të trafikut të qenieve njerëzore. Mos harrojmë se në vitin 2006 u firmos marrëveshja e asociim –stabilizimit dhe më pas u anëtarësuam në NATO.

Unë mendoj se moratoriumi është një ndalim i përkohshëm i një veprimtarie të caktuar, ose një lloj çmimi që shqiptarët duhet të paguajnë, por ajo që fituan është shumë më e madhe. Shqiptarët fituan lirinë e lëvizjes, shqiptarët sot janë të barabartë me qytetarët e BE-së. Unë them se moratoriumi është mbështetur edhe nga elita e BE-së, departamenti amerikan i shtetit etj. Unë mendoj se meqë ka qenë i suksesshëm duhet të vazhdojë, pasi objektivi ynë është marrja e statusit të vendit kandidat për në BE, deri në integrimin e plotë. Pa arritur këto objektiva madhore, nuk mendoj se duhet ndërprerë moratoriumi i skafeve.

Raporti më i fundit i Interpolit evidentonte rezultatet e shkëlqyera që policia ka arritur në luftën kundër trafikut. Më konkretisht theksonte se trafiqet e drogës dhe trafiqet e tjera që kanë qenë prezente në Shqipëri kanë pësuar një rënie të konsiderueshme.

Po kostoja e turizmit nga bllokimi i skafeve, a nuk është me të vërtetë me pasoja?

Mendoj se turizmi në Shqipëri ka rritje. Nëse në vitin 2005 numri i turistëve ishte rreth 300.000 persona, vitin e kaluar në Shqipëri ishin mbi 3,5 milionë persona që kanë vizituar Shqipërinë, apo kanë bërë pushimet. Mos harrojmë se moratoriumi ndikoi pozitivisht dhe te turizmi. A mundej një qytetar i huaj të shkonte për pushime në një vend ku kishte trafik klandestinësh apo droge? Në një vend ku skafet e krimit qarkullonin dhe trafiqet lulëzonin? Sigurisht që jo. Mos harrojmë që Shqipëria sot vlerësohet si një ndër destinacionet më të rëndësishme turistike në perëndim.

 

Moratoriumi ka pasur efekt në drejtim të përmirësimit të imazhit të vendit. Shqipëria sot vlerësohet si një ndër destinacionet më të rëndësishme turistike në perëndim. Mendoj se moratoriumi është një ndalim i përkohshëm i një veprimtarie të caktuar, ose një lloj çmimi që shqiptarët duhet të paguajnë, por ajo që fituan është shumë më e madhe. Shqiptarët fituan lirinë e lëvizjes, shqiptarët sot janë të barabartë me qytetarët e BE-së

Cilat janë sipas jush pasojat që moratoriumi ka pasur për turizmin në Durrës, qytet ku mungon dhe një port jahtesh?

Qyteti i Durrësit ka qenë dhe mbetet destinacioni kryesor i turistëve për vetë atë çfarë i ofron ky qytet si turistëve vendas ashtu dhe atyre të huaj. Duke qenë njëkohësisht qytet-port, Durrësi mbetet i lakmuar edhe nga turistët, të cilët preferojnë ta vizitojnë këtë qytet me jahtet e tyre, por mungesa e një porti të mirëfilltë jahtesh sigurisht që përbën një pengesë për këta turistë. Aktualisht ka patur shfaqje interesi për ndërtimin e porteve të jahteve apo marina siç njihen ndryshe në gjuhën detare dhe Ministria e Punëve Publike po shqyrton këto kërkesa. Ndërtimi i një porti të tillë natyrshëm që do t’i japë një shtysë të fuqishme zhvillimit të turizmit detar, që momentalisht është në shifra të ulëta. Kjo mendoj nuk është pasojë e moratoriumit te mjeteve lundruese, por pasojë e mungesës së infrastrukturës detare të mirëfilltë për akomodimin e mjeteve turistike detare.

Le të ndalemi pak te peshkimi. Si e vlerësoni situatën aktuale ku një pjesë e këtij sektori është në pikë të hallit?

Unë mendoj se qeveria e ka parë me përparësi peshkimin. Mjafton t´ju përmend këtu politikat subvencioniste për këtë sektor dhe çmimet stimuluese të karburantit. Mjafton të përmend investimin më të fundit që do t´i japë një fytyrë tjetër peshkimit në Durrës, pikërisht porti i ri i peshkimit. Ky sektor ka vështirësitë e tij, por shteti shqiptar i është gjendur gjithmonë pranë peshkatarëve. Natyrisht që ka dhe anije që nuk kanë teknologji bashkëkohore, por le ta shikojmë gotën gjysmë plot, pasi kanë hyrë në këtë sektor dhe anije të parametrave ndërkombëtare. Gjithsesi, investimin e rëndësishëm për ndërtimin e portit të ri të peshkimit, e shikoj si një lajm të mirë për zhvillimin intensiv të këtij sektori.

Ka pasur akuza nga mjedisorët për ndotjen që ky port do t´i shkaktojë zonës elitare të qytetit. Cili është mendimi juaj?

Nga informacioni që kam më rezulton se do të plotësohen të gjitha standardet për të shmangur çdo lloj ndotjeje, pasi ky port do të ketë parametra bashkëkohorë edhe për sa i përket ruajtjes së mjedisit. Unë akuzat e deritanishme i shikoj thjesht me sfond politik.

Cili është komenti juaj në lidhje me deklaratat e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, për sa i përket konspiracionit në ndarjen e kufijve me Greqinë?

Lidhur me deklaratat e Dules për një konspiracion ndërkombëtar në lidhje me çështjen e ndarjes së ujërave territoriale greko-shqiptare, unë sinqerisht nuk e di se çfarë ka dashur të shprehte zoti Dule me këtë deklaratë, por di t´ju them se aktualisht ne ndodhemi në kushtet kur marrëveshja e nënshkruar ndërmjet dy palëve, është e pavlefshme pasi kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ndarja e kufirit detar është çështje e së drejtës detare ndërkombëtare, Ligjit të Detit apo siç njihet ndryshe konventës së Montego Bay-t dhe marrëveshjeve bilaterale ndërmjet palëve dhe jo e ndonjë konspiracioni ndërkombëtar.