Durrës, 9 gusht 2014 – Ajo e Massimo Moratit është një mungesë që në shtëpinë e Interit nuk e zëvendësojnë dot as prurjet e shumta të futbollistëve që kanë ardhur në këtë merkato vere. Javën e ardhshme do të bëhen plotë tre muaj që presidenti i sukseseve të mëdha është larg dashurisë së tij të madhe në jetë Interit. Aktualisht ndodhet me pushime megjithatë Moratti po mendon seriozisht të lërë postin e presidentit të nderit që mban te zikaltrit, diçka kjo që mund të mos i pëlqejë aspak presidentit të ri të klubit, indonezianit Erick Thohir që do të preferonte ta kishte gjithmonë në krah të tij 71-vjeçarin italian, por edhe trajnerit Walter Mazzarri pasi entuziasmi që përcjell Moratti qoftë edhe si tifoz mund ta motivojë edhe më tepër skuadrën.

Megjithatë për të mësuar vendimin e Morattit duhet të presim edhe disa ditë të paktën deri më 26 Gusht pasi në atë datë do të mblidhet bordi drejtues i klubit dhe Thohir e Moratti do të diskutojnë nga afër. Gjithsesi mediat italiane bëjnë me dije se marrëdhëniet mes presidentit dhe ish presidentit janë ftohur disi, kjo jo për politikat që po ndjek klubi me në krye manjatin indonezian por për mënyrën se si Interi i ka larguar heronjtë e tripletës së famshme. Morattit nuk i ka pëlqyer aspak trajtimi që u ka bërë klubi lojtarëve të tillë si Cambiasso, Milito e Samuel dhe ky fakt mund të ndikojë jo pak në vendimin e 71-vjeçarit për të lënë postin e presidentit të nderit te zikaltrit. Tashmë trajnerit Mazzarri dhe presidentit Thohir nuk u mbetet veçse të kryqëzojnë gishtat dhe të shpresojnë te një qëndrim i mundshëm i Morattit pasi prania e tij në klub qoftë edhe si president nderi është në të mirë të skuadrës.