Policia e Fierit ka arrestuar 33-vjeçarin e kërkuar për pengmarrjen ndaj 24-vjeçares dhe detyrimin që të ushtronte prostitucion.

Në pranga ka rënë Arbër Mehmeti. Ai akuzohet për “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.

Nga hetimet e kryera nga Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Fier në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Imponimi”, të zhvilluar tre ditë më parë, rezultoi se 33-vjeçari, në bashkëpunim me 3 shtetase tashmë të arrestuara, i kanë hequr lirinë, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës, një 24-vjeçareje dhe e kanë shfrytëzuar atë për prostitucion, për një periudhë dymujore, në banesa me qira dhe në hotele të ndryshme në qytetin e Fierit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.