Detaje të reja janë zbardhur ditën e sotme sa i përket konfliktit të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Mirditë, ku 28 vjeçari, Glodian Gjoka ka qëlluar me armë zjarri drejt shtetasit, Pashk Prenga dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Prenga fatmirësisht nuk u lëndua nga të shtënat, por pas ngjarjes, mësohet se ka marrë armën e zjarrit dhe ka kërcënuar familjarët e 28 vjeçarit.

Për pasojë të dy personat e përfshirë në konflikt janë arrestuar nga policia e Mirditës.

Njoftimi i Plotë:

Mirditë/Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Fan, Mirditë.

Vihen në pranga të 2 shtetasit e përfshirë në konflikt.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë, pas marrjes së njoftimit për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Klos, Njësia Administrative Fan, Mirditë, ku shtetasi G. Gj. dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin P. P. ka qëlluar me armë zjarri, kanë vijuar veprimet hetimore intensive, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve hetimore janë arrestuar në flagrancë shtetasit Glodian Gjoka, 28 vjeç, banues në Mirditë dhe Pashk Prenga, 39 vjeç, banues në Mirditë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.

Arrestimi i tyre është bërë pasi gjatë konfliktit për motive të dobëta, të ndodhur ditën e djeshme, shtetasi G. Gj. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri për të kanosur shtetasin P. P. Më pas, shtetasi P. P. dyshohet se ka shkuar në banesën e shtetasit G. Gj. dhe ka kanosur familjarët e tij, me armë zjarri.

Vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armëve të zjarrit që posedonin 2 të arrestuarit.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.