Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq tre persona për ‘Dëmtim i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore’.

Tre personat morën zhavorr në Lumin Vjosë e cilësuar zonë e mbrojtur. Në njoftimin e prokurorisë theksohet se nga veprimet e kryera është shkaktuar një dëm në vlerën 3.000.000 lekë.

Njoftimi:

Morrën zhavorr në Lumin Vjosë e cilësuar zonë e mbrojtur, Prokuroria Fier dërgon në gjyq tre persona për ‘Dëmtim i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasit A.L., F.S. dhe E.L. për veprën penale ‘Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore’, parashikuar nga neni 202/b dhe 25 i Kodit Penal.

Nga hetimi i kryer në kuadër të procedimit penal nr.310/20222 rezultoi se të pandehurit në kundërshtim me kërkesat e legjislacionit në fuqi për zonat e mbrojtura kanë kryer veprime që kanë shkaktuar përkeqësim të rëndë të habitatit, që ndodhet brenda zonës së mbrojtur mjedisore.
Prokuroria provoi se të pandehurit kanë kryer veprime drejtim të marrjes së zhavorrit në Lumin Vjosë, lum i cili është shpallur Park Natyror përmes VKM nr.59, datë 26.01.2022. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë marrë materiale inerte nga shtrati i lumit Vjosë, e cilësuar si zonë e mbrojtur “rezervë strikte”, ku ndalohen të gjitha aktivitetet njerëzore. Lidhur me rolin që kanë pasur të pandehurit në këtë aktivitet kriminal, i pandehuri A. L, në cilësinë organizatorit të kësaj veprimatrie, i cili rezulton të jetë edhe administrator i shoqërive në dobi të së cilave merrej materiali i inerteve, duke shfrytëzuar punën e drejtuesit të kamionave F.S. dhe punën e të pandehurit E.L., i cili ka qënë i punësuar si fadromist.
Nga hetimet rezulton që prej vitit 2014 ka të dhëna për vendosjen e gjobës për depozitimin e materialeve inerte (zhavorr lumi) pa dokumentacion justifikues në katjerin e të pandehurit A.L, duke dëshmuar kështu për kohëzgjatjen e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm që arrihet të dokumentohet edhe në rastet objekt i këtij gjykimi dhe duke i sjellë kështu për përkeqësimin e rëndë të habitateve që ndodhet brenda zonës së mbrojtur.
Nga veprimet e kryera është shkaktuar një dëm në vlerën 3.000.000 lekë.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për vijimin e hetimeve të grupveprat që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.