Një i pastrehë, i cili ndihmoi një shofere të bllokuar me 20 dollarëshin e tij të fundit, ka bërë plane për të dhënë për bamirësi një pjesë të shumës prej 370 000 dollarësh që ai mori si “shpërblim” për gjestin e tij.

Xhoni Bobbitt, 34 vjeç i erdhi në ndihmë Kate McClure kur asaj iu mbarua benzina dhe mbeti në rrugë në mes të natës në Filadelfia. Ai mori vëmendjen e të gjithë mediave, kur vajza e re nisi një fushatë online për të mbledhur para në ndihmë të të pastrehut.

 “Dua ta ndryshoj jetën time, dua të dhuroj një pjesë të shumës të mbledhur për mua”, tha Bobbitt për “Good Morning America”, pasi vajza mblodhi për të shumën e madhe të parave.

“Unë nuk mund vetëm të marr nga të tjerët pa dhënë asgjë në shkëmbim. Dua vetëm të bëj gjënë e duhur, paratë e mia do të shkojnë për organizatat që u vijnë në ndihmë njerëzve në nevojë”, tha ai duke folur për shumën e madhe që 27-vjeçarja kishte arritur të mblidhte për të me një fushatë online.