Në harkun kohor të pak ditëve, në dy festivale me emër, me dy vepra të ndryshme dhe me dy trupa të ndryshme teatrore, regjisorja e njohur durrsake Driada Dervishi arriti të rrëmbente dy çmime mjaft të rëndësishëm:

“Regjia më e mirë” në Koko Fest me shfaqjen “Ferma e kafshëve”, me trupën e Teatrit Kombëtar

“Shfaqja më e mirë” në Festivalin Mbarëkombëtar “Teatri shqiptar në Maqedoninë e Veriut” me shfaqjen “Revizori” me trupën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Këto nuk janë çmimet e para që merr në karrierën e saj regjisorja Dervishi, por duke qenë se ato vijnë pas një perudhe pandemie, ku artistët e kanë pasur mjaft të vështirë të bëjnë art, ato marrin një vlerë të dyfishtë.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, regjisorja Dervishi shprehet se sezoni artistik i vjeshtës do të nisë plot energji pas këtyre dy arritjeve të rëndësishme. Brenda muajit shtator, artdashësit durrsakë do të mund të ndjekin në teatër dy shfaqjet e Dervishit; “Revizori” vihet në skenë në datat 15-16 shtator, ndërsa “Ferma e kafshëve” vjen në datat 17-18-19 dhe 24-25-26 shtator.

Bashkëpunimi me trupën e Teatrit Kombëtar për Dervishin ka qenë një eksperiencë mjaft e bukur, që pavarësisht vështirësive të krijuara nga temperaturat e larta dhe puna me orar të zgjatur në orët e vona të natës, rezultati në fund ishte shpërblim për impenjimin maksimal të të gjithë ekipit.

E ndërsa përpara ka një sezon të ri artistik, Dervishi nuk lë pa shigjetuar politikat vendore për kulturën dhe artin, të cilat nuk u japin mbështetjen e duhur artistëve.

“Ne jemi vlerësuar në çdo festival me çmime, por vëmendja nuk është ajo e duhura, për të investuar realisht, siç i ka hije dinjitetit të një teatri profesionist, me artistë shumë të mirë.” – thotë Dervishi.

Me pak trishtim, ajo deklaron se nuk beson më që apeli i ngritur shpeshherë nga artistët e Durrësit, të dëgjohet nga ata që vendosin për fondet që i akordohen teatrit “Aleksandër Moisiu”, por sipas saj “ne punojmë për publikun dhe për teatrin, prandaj nëse të tjerët nuk duan ta kuptojnë këtë gjë është më keq për ta”.  

M.B.