Megjithëse një sport jo masiv në vendin tonë, taekwondo ka nisur të përqafohet nga më të vegjlit dhe të rinjtë në Durrës.

Pak ditë më parë, në qytetin bregdetar u mbajt kampionati i 23-të ballkanik i taekwondo-s, ku studentja e UAMD-së, Migena Doçi, si pjesë e ekipit kombëtar mori medaljen e bronztë.

Dy sportistët durrsakë Migena Doçi dhe Mario Matoshi stërviten prej disa vitesh nga trajneri Xhersi Kurti dhe siç rrëfejnë dhe vetë për “DurrësLajm” kanë mbështetjen e familjes për angazhimin e tyre në këtë disiplinë.

Në ndryshim nga Migena, Mario 14-vjeçar nuk arriti të ngjitej në podiumin e medaljeve. Ai u mund nga rivali turk, që më pas mori medaljen e artë.

Me trajnerin Xhersi Kurti, Migena dhe Mario stërviten prej vitesh dhe ai është i bindur që dy sportistët e rinj ende nuk kanë shpalosur të gjithë potencialin e tyre.

Angazhimi i Migena Doçit në taekwondo pritet të jetë jetëgjatë. Sportistja durrsake synon pjesëmarrjen në aktivitetet e tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, e pse jo të marrë medaljen e artë në një të ardhme të afërt.

Në kampionatin e 23-të Ballkanik të Taekwondo-s, që u mbajt në fundjavë në Durrës morën pjesë 9 shtete nga Ballkani, me 460 sportistë të grupmoshave të ndryshme.

M.B.