Prokuroria e Beratit ka reaguar në lidhje me rastin e publikuar në emisonin investigativ “Stop”, ku shfaqej oficeri i policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Berat, shtetasi Ledion Ferizaj i përfshirë në një akt korruptiv.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vlerësuar se veprimet e oficerit të policisë mund të përbëjnë elementë të veprës penale, të korrupsionit pasiv të funksionarëve të drejtësisë, parashikuar nga neni 319/ç të K.Penal, vepër kjo në kompetencë lëndore të Prokurorisë së Posaçme të Korrupsioni dhe Krimit të Organizur. Për rrjedhojë, rasti është referuar në prokurorinë kompetente.

Ndaj policit gjyqësor ka nisur hetimi. Duket se Ferizaj ka qenë disi problematik, pasi edhe më herëy ka marrë masën disiplinore, ‘Vërejtje me paralajmërim’.

Kujtojmë që një qytetar nga Berati denoncoi në “Stop”, OPGJ-në në këtë qytet, Ledion Ferzaj. Qytetari tha, se zyrtari Ferzaj po e shantazhon me hetimin e një ngjarjeje, duke i kërkuar para që ta mbyllë.

Reagim i Prokurorisë Berat për oficerin e policisë gjyqësore L.F.

Duke marrë shkas nga pamjet filmike të transmetuara më datë 09.05.2023, në emisionin investigativ ‘Stop’, ku shfaqet oficeri i policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Berat, shtetasi L.F., i përfshirë në një akt korruptiv, Ju informojmë si më poshtë:

Pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat është referuar nga Komisariati i Policisë Berat materiali numër 1030, datë 03.05.2023, material i cili është shortuar më datë 09.05.2023, ora 15:00. Materiali referues nuk është marrë ende në vlerësim nga prokurori. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vlerësuar se veprimet e oficerit të policisë mund të përbëjnë elementë të veprës penale, të korrupsionit pasiv të funksionarëve të drejtësisë, parashikuar nga neni 319/ç të K.Penal, vepër kjo në kompetencë lëndore të Prokurorisë së Posaçme të Korrupsioni dhe Krimit të Organizur. Për rrjedhojë, rasti është referuar në prokurorinë kompetente.

Ju bëjmë me dije se për oficerin e policisë gjyqësore L.F., nga prokurorët e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, gjatë kohës që ka ushtruar detyrën, është kërkuar fillimi i procedimeve disiplinore për shkelje të rënda të përsëritura të detyrës. Rezulton se ndaj tij, bazuar në kërkesën e Prokurorit, Komisioni i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, me vendimin nr.24 datë 27.01.2023, ka vendosur marrjen e masës disiplinore, ‘Vërejtje me paralajmërim’. Po më datë 15.03.2023, është kërkuar fillimi i procedimit disiplinor ndaj oficerit L.F. Kërkesa së bashku me relacioni përkatës, i është drejtuar Drejtorisë së Standardeve Profesionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe një kopje për dijeni i është dërguar edhe Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat, shpreh keqardhje për qëndrimet dhe deklaratat e bëra nga oficeri i policisë gjyqësore në drejtim të prokurorëve, deklarata të cilat i cilëson të pavërteta, fyese dhe që cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e Prokurorit. Organi i akuzës inkurajon qytetarët dhe emisionet investigative të referojnë çdo akt korruptiv apo veprim tjetër të paligjshëm.