Gjykata e Posaçme ka dënuar me 1.4 vite burg përgjegjësin e IKMT Sarandë, Julian Preni, i cili mori ryshfet për të mos prishur një ndërtim pa leje.
Julian Preni do të fillojë dënimin nga dita që ndaj tij është zbatuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg” dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
NJOFTIMI I PLOTË:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datën 16.05.2024, Nr. Regj. Them. 80, ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: shqyrtimin e çështjes penale ndaj të pandehurve: Julian Preni, akuzuar për kryerjen e veprave penale ”Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal; Arjel Balani akuzuar për kryerjen e veprave penale ”Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal; Foti Doda akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe ”Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 245/1 paragrafi 2, 244 të Kodit Penal.
Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga nga gjyqtarët Erjon Çela, Etleva Deda dhe Erjon Bani mbështetur në nenet 35, 59, 244, 245/1 parag. 2 dhe 4 dhe 259 të K.Penal, nenet 190, 403 – 406, 393 dhe 485 të K.Pr.Penal, me vendimin Nr. 40, datë 26.06.2024 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Julian Preni, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojne funksione publike” e parashikuar nga neni 259 i K.Penal (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr. 43/2021), dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Julian Preni me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Julian Preni do të fillojë nga dita që ndaj tij është zbatuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg” dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
Në aplikim të nenit 35 të K.Penal heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Julian Preni për një periudhë kohore prej 5 vjetësh.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Arjel Balani, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi katër i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 te K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Arjel Balani me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Arjel Balani do të fillojë nga dita që ndaj tij është zbatuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg” dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
Në aplikim të nenit 35 të K.Penal heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Arjel Balani për një periudhë kohore prej 5 vjetësh.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Foti Doda për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojne funksione publike” e parashikuar nga neni 244 i K.Penal (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr. 43/2021), dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Foti Doda për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal mbi caktimin e dënimit për kryerjen e dy veprave penale, dënimin e të pandehurit Foti Doda me një dënim të vetëm prej 1 (një) viti burgim.
Në aplikim 406 te K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Foti Doda me 8 (tetë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim duke e vënë të pandehurin Foti Doda në provë për një periudhë kohe prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) muaj, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryeje vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vëndbanimin e tij.
Në lidhje me provat materiale të sekuestruara për llogari të këtij procedimi penal, gjykata në bazë të nenit 190 të K.Pr.Penale disponon si më poshtë:
Aparat celular i llojit “IPHONE 12 Pro Max”, model A2411, me nr. IMEI 1: *** dhe IMEI ***, i përdorur nga i pandehuri Arjel Balani, ti kthehet të pandehurit konform nenit 190/1 gërma “ç” të K.Pr.Penale, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
Aparat celular i llojit “Iphone 13 Pro Max”, model A2643, ngjyrë e bardhë, në gjendje të fikur, me IMEI të stampuar në pjesën e poshtme të kartës ***, i përdorur nga i pandehuri Julian Preni, ti kthehet të pandehurit konform nenit 190/1 gërma “ç” të K.Pr.Penale, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
Aparat celular i llojit “Samsung”, model SM-***, ngjyrë e zezë, në gjendje të fikur, me IMEI 1: *** dhe Imei 2: ***, i përdorur nga shtetasja Sofia Doda, ti kthehet kesaj shtetase konform nenit 190/1 gërma “ç” të K.Pr.Penale, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
Disk CD-R, me mbishkrimin “Kodak” me shënimin me ngjyrë blu “Fiks Fare, Tetor 2022” me pamjet filmike të emisionit për rastin e shtetasit Foti Doda, copë 1 (një), të qëndrojë në dosje.
Disk DVD-R, me mbishkrimin “Sony” me shënimin me ngjyrë të kuqe “Plazhi në Ksamil nga emisioni fiks Fare, datë 18.10.2022”, copë 1 (një), të qëndrojë në dosje.
DVD-R, me mbishkrimin “Procedimi penal nr.188/2022 Të dhënat e nxjerra nga ekspertimi, “Akti i ekspertimit nr. 255 datë 13.12.2023”, copë 3 (tre), të qëndrojë në dosje.
DVD me mbishkrimin “Name: 188 VITI 2022 DVD_1”, cop 1 (një), të qëndrojë në dosje.
Disk CD-R, me mbishkrimin “My media” me shënimin me ngjyrë të zezë “Vendim nr. 1084 2023” dërguar nga Gjykata Sarandë, copë 1 (një), të qëndrojë në dosje.
Disk CD-R, me mbishkrimin “Verbatim” me shënimin me ngjyrë të zezë “Fiks Fare Nr 518 Vendimi” dërguar nga Gjykata Sarandë, copë 1 (një), të qëndrojë në dosje.
Disk CD-R, me mbishkrimin “Mymedia” me shënimin me ngjyrë të zezë “Vendimi Nr. 518 viti 2023” dërguar nga Gjykata Sarandë, copë 1 (një) të qëndrojë në dosje.
Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit në shumën e përcaktuar në procesverbalin përkatës (33,840.03 leke), të cilat në bazë të nenit 485/1 të K.Pr.Penale janë parapaguar nga shteti, si dhe shpenzimet gjyqësore t’iu ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare, në bazë të neneve 393/1 dhe 406/4 të K.Pr.Penale.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
Tiranë, më datën 26.06.2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar