Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për “Shkarkim nga detyra” të magjistrates Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë parashtroi para Këshillit të Lartë Gjyqësor argumentet për fillimin e procedimit disiplinor me iniciativë, ndaj magjistrates M.M. me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 140, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nga neni 104 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për shkak të dënimit për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 319/ç – 25 i Kodit Penal.
- Magjistratja M.M. është deklaruar fajtore nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, konfirmuar edhe nga Apeli.
- Gjyqtarja është gjetur fajtore për veprime, të cilat për nga natyra e tyre janë të shkallës më të rëndë, sikundërse janë aktet korruptive të lidhura me ushtrimin e funksionit të gjyqtares. Nga ana e gjykatës është pranuar ekzistenca e këtyre fakteve dhe rrethanave në kryerjen e veprës penale.
- Nga hetimi disiplinor, konstatohet se nga ana e magjistrates janë ndërmarrë veprime aktive me anë të kërkimit dhe marrjes së një shume monetare, veprime të kryera gjatë ushtrimit të detyrës dhe me qëllim përfitim të padrejtë prej saj, duke favorizuar një palë ndërgjyqëse nëpërmjet dhënies së vendimit. Vepra penale është kryer me dashje direkte me motiv kryesor përfitim i një shume monetare përkundrejt kryerjes së një veprimi, konkretisht zbutjen e masës së sigurimit personal ndaj një shtetasi.
- Ushtrimi i parregullt i detyrës nga ana e magjistrates, si dhe për vetë natyrën e faktit penal të konsumuar, ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskredituar rëndë figurën, autoritetin, dinjitetin si dhe është dëmtuar rëndë besimi i publikut te magjistrati dhe organet e drejtësisë.
Sa më sipër Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates M.M. dhe caktimin ndaj saj të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”.





