Angli, 1 maj 2014 – I hidhëruar dhe fjalëpak. Eshtë hera e katërt radhazi për Jose Mourinhon që eliminohet vetëm një hap larg finales së Champions League. Në 2011-ën, Reali i tij u eliminua nga Barcelona në gjysmëfinale, më pas nga Bayerni e Dortmundi dhe tani që ndodhet te Chelsea u ndëshkua nga Atletico. Gjithsesi tekniku portugez pranoi superioritetin e ekipit të Simeones, teksa e cilësoi mëse të drejtë finalen e këtij viti.

“Reali ishte më lart se Bayerni, ashtu si Atletico që bëri një lojë më të mirë se Chelsea. Të dyja këto skuadra e kanë merituar finalen, uroj të fitojë më i miri. Duhet të kemi respekt për ekipin që na eliminoi, edhe pse deri në momentin e penalltisë nuk ishin superiorë”,- tha trajneri portugez.

Në fund të takimit Mourinho refuzoi të shtrëngonte duart me Courtois, i cili u kthye në një temë të nxehtë replikash mes dy klubeve pas hedhjes së shortit.

“Courtois është aktualisht portieri i Atleticos dhe realizoi një pritje të pamundur. Gjithsesi Atletico është një skuadër e vërtetë, e fortë në mbrojtje dhe e rrezikshme kur del në sulm”.

The Special One për disfatën në Stamford Bridge që përcaktoi finalistin e dytë të Championsit fajësoi problemet e shumta në skuadër e dëmtimet veçanërisht, por theksoi se lojtarët e tij pavarësisht se mund të ndihen të trishtuar, në shtëpi mund të shkojnë me fytyrën e pastër e të qetë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/