KAJRO, 4 korrik 2013 – Presidenti i rrëzuar Morsi ndodhet nën arrest shtëpiak, siç janë edhe shumica e ekipit presidencial, mësohet nga një mesazh në Twitter i zëdhënësit të “Vëllazërisë Myslimane”, Gehad El-Haddad. 

“Morsi është arrestuar nga garda presidenciale në selinë e tyre dhe po mbahet larg çdo kontakti me botën”, shprehet El-Haddad për CNN. “Ata kanë ndërprerë çdo akses të mundshëm të tij me të tjerët, të gjitha telefonatat e tij. Asnjë nuk mund ta takojë atë”, konfirmon zëdhënësi i “Vëllazërisë Myslimane”. 

Ushtria e Egjiptit raportohet se po përpiqet të mbledhë masivisht anëtarët e “Vëllazërisë Myslimane”, lëvizjes islamike që ndihmoi Morsi-n të vinte në pushtet 1 vit më parë. El-Haddad konfirmon vetëm arrestimet e kreut të partisë “Liri dhe Drejtësi” dhe zëvendësit të tij, por pranon se numri i “të përndjekurve” është shumë i madh. 

Urdhër arreste janë lëshuar për 300 anëtarët e “Vëllazërisë Myslimane”, teksa një operacion për arrestimin e tyre është duke u zhvilluar në orët e para pas rënies së Morsi-t nga pushteti, bën të ditur Al-Ahram, gjatë orëve të para të së enjtes, duke cituar burime të forcave të sigurisë, por të paidentifikuar. 

Forcat e sigurisë egjiptiane kanë arrestuar gjithashtu liderin e partisë politike të “Vëllazërisë Myslimane”, Saad el-Katatni, si dhe zëvendësin e tij, Radhad Al-Bayoumi, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve në Egjipt, MENA, gjatë orëve të vona të së mërkurës, sërish bazuar në burime ushtarake.

“Al Jazeera” ka ofruar detaje të mëtejshme në lidhje me sulmin e raportuar ndaj stacionit të tyre në Egjipt. Sipas tyre, shërbimi i tyre direkt mbi ngjarjet në Egjipt është ndërprerë gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë.

“Forcat e sigurisë hynë furishëm në ndërtesë dhe arrestuan prezantuesin, të ftuarit dhe producentët”, thuhej në një deklaratë të “Al Jazeera”-s përmes uebsajtit të tyre. Më herët, CNN raportoi nga Kajro se të paktën 3 stacione televizive pro-Vëllazërisë Muslimane në Egjipt duket se e kanë ndërprerë aktivitetin dhe janë mbyllur.

Ndërkaq, në orët e para të mesnatës në Kajro, turmat pro-Morsi dhe anti-Morsi vazhdojnë të enden rrugëve.

Të paktën 8 persona janë vrarë dhe 343 të tjerë janë plagosur në përleshjet anembanë Egjiptit, gjatë së mërkurës, ditën kur ushtria egjiptiane bëri të ditur se ka rrëzuar Mohamed Morsi-n nga posti i presidentit. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia shtetërore e lajmeve Al-Ahram, e cila citon Ministrinë e Shëndetësisë.

Presidenti amerikan Barack Obama, në deklaratën e tij të parë publike mbi “grushtin e shtetit” ndaj Morsi-t, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të shqetësuara nga vendimi i forcave të armatosura egjiptiane, për të rrëzuar presidentin Morsi dhe për të pezulluar Kushtetutën e Egjiptit”, si dhe faktin që “ai u ka kërkuar departamenteve dhe agjencive përkatëse, për të rishikuar mundësinë e implikimeve, sipas ligjeve amerikane, për ndihmë ndaj qeverisë së Egjiptit”. 

Obama i bëri thirrje ushtrisë egjiptiane “të lëvizë me shpejtësi dhe përgjegjësi, për rikthimin e autoritetit të plotë ndaj një qeverie civile të zgjedhur në rrugë demokratike, sa më shpejt të jetë e mundur, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent, dhe të shmangë arrestimin arbitrar të presidentit Morsi dhe mbështetësve të tij”. 

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka reaguar përmes një deklarate, ku bën thirrje për qetësi, shmangie të dhunës, dialog dhe përmbajtje në Egjipt, siç raporton Reuters. Sekretari i OKB-së shton mes të tjerash se ndërhyrja ushtarake në çështjet politike është gjithmonë shkak për shqetësime, si dhe nxit palët që të rikthejnë qeverinë civile sa më shpejt të jetë e mundur.