Të tjera detaje tronditëse zbardhen nga krimi makabër që ndodhi një vit më parë, ku burri mbyti me litar bashkëshorten e tij të moshuar. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë natës së 3 janarit, ku Namik Velaj akuzohet se vrau bashkëshorten e tij Vreke Velaj, teksa ishin të vetëm në banesën e tyre në Patos, shkruan BalkanWeb.
Prokuroria e Krimeve të Rënda në hetimet e kryesuara nga prokurori Besnik Muçi zbuloi se pasi gruaja ndërroi jetë, për të krijuar alibi, Velaj thirri edhe mjekun e urgjencës, i cili nuk arriti të konstatojë shenja dhune, por doli në përfundimin se gruaja kishte vdekur nga hiper-tensioni. Në këto kushte plaku me gjakftohtësi e veshi gruan me rrobat e saj më të mira dhe i mbuloi qafen me një shall, që ajo e ruante si kujtim nga vajza që nuk jetonte më.
Namik Velaj iu kërkoi edhe të afërmve të gruas të mos ia preknin shallin që e kishte amanet nga e bija, duke u përpjekur kështu të mbulojë shenjat e krimit të tij. Por kunatat e së ndjerës pikasën poshtë shallit hematoma të zeza të shkaktuara nga litari me të cilin gruaja u mbyt. Pas kësaj të afërmit e gruas denoncuan në polici dhe menjëherë nisën hetimet, të cilat konkluduan se 74-vjeçarja ishte vrarë nga bashkëshorti.





