Rezultatet e sondazhit të IPR Marketing i publikuar javën e kaluar nxirrnin në pah se opozita e bashkuar gëzonte mbështetje më të madhe popullore, sesa e majta e kryeministrit Rama. Orientimi i votës në 3 prill tregonte se Basha + Kryemadhi kishin 53% mbështetje (PD 38% dhe LSI 15 %), ndërkohë PS kishte 44%. Pikërisht këtij sondazhi iu referua lideri i PD-së, Lulzim Basha, që mblodhi në selinë blu kryesinë e kësaj partie për të koordinuar hapat që do të ndërmerren në terren deri në datë 13 prill, kur është paralajmëruar protesta e tretë mbarëpopullore.
“Ne jemi de fakto shumicë. Që pas djegies së mandateve, PD ka një rritje të menjëhershme edhe mes të pavendosurve. Jemi shumicë absolute në çdo sondazh të pavarur vendas dhe të huaj. Duhet ta përkthejmë sa më shpejt në votë këtë mbështetje të shqiptarëve”,-tha sot Basha.
Por sa përkthehen këto rezultate sondazhi në mbështetje popullore pro PD-së dhe LSI-së në një kohë kur po sot Partia Socialiste dorëzoi në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrim në zgjedhjet e 30 qershorit?
Në Durrës, pavarësisht se nuk ka ende një kandidat për kryebashkiak nga PS, strukturat janë në punë, madje po testojnë emrat që garantojnë mbështetje të gjerë. Megjithëse nuk është thënë ende zyrtarisht, tashmë duket e sigurt se kryebashkiaku Vangjush Dako nuk do të garojë për një mandat të katërt. Me Dakon jashtë përfshirjes së drejtpërdrejtë në garën elektorale, PS-ja durrsake humb njeriun që do të garantonte mbledhjen e votave, jo vetëm brenda spektrit të majtë, por edhe më gjerë. Edhe pas 12 viteve në pushtet, Dako vijon ende të gëzojë mbështetje të gjerë mes të tijëve, gjë që ndoshta do kërkonte një analizë më vete për të kuptuar arsyet e mos konsumimit në pushtet të kryebashkiakut të shumë sulmuar nga PD, sidomos dy vitet e fundit.
Përballë Dakos tashmë në ikje nga posti i kreut të bashkisë dhe një kandidati të padeklaruar ende zyrtarisht qëndron PD e drejtuar nga Ferdinand Xhaferaj, që në 2011 e ka provuar personalisht përballjen direkte me Gjushin. Një PD me struktura drejtuese të zgjedhura muajt e fundit, e konsumuar për vite me rradhë nga grindjet e brendshme, por që kohët e fundit po tregon se disa përplasje edhe mund të lihen mënjanë kur është në mes interesi partiak.
Protestën e 30 marsit në Durrës e pata quajtur në një tjetër shkrim “prova e zjarrit” për të djathtët. Personat e mbledhur në sheshin e bashkisë atë pasdite nuk mund të shërbenin për të ngjallur shpresën, madje edhe të më optimistit mes demokratëve durrsakë. Por jo domosdoshmërisht prezenca në shesh nënkupton votë pro PD-së dhe mos prezenca votë kundër. Kryetari Xhaferaj është nga ata ish-deputetë të PD-së që kanë siguruar një vend në parlament në përballje direkte me rivalët politikë dhe duhet ta kujtojë mirë periudhën kur PD frymëzonte.
Në vitin 2005, PS-ja e drejtuar nga Gazmir Bizhga do të humbte me një rezultat tenistik 6 me 0, ndërsa PD-ja e udhëhequr nga Armand Teliti do të regjistronte një fitore historike. Iu referova kësaj fitoreje, pasi është e fundit e PD-së në Durrës. Nëse do t’i referohesha fitores së fundit në zgjedhjet lokale në Durrës do shkonim shumë prapa në kohë, gati 2 dekada, sepse mund të thuhet me plot gojën se PD e ka harruar shijen e fitores në bashkinë e qytetit bregdetar. Për këtë arsye është e etur për të mundur socialistët, por a do ta arrijë vallë?
Fitorja e Dakos në 2015 me më shumë se 13 mijë vota do t’i paraprinte fitores 8 me 4 të vitit 2017 në zgjedhjet parlamentare. Dy vite më parë, PD regjistronte humbjen më të thellë ndaj rivalëve socialistë në nivel qarku. Dy vite janë pak për të kthyer në favor një diferencë mjaft të thellë, për më tepër që në të gjitha qendrat e votimit në qytetin e Durrësit rezultati fliste pro PS-së. Sado që njerëzit të kenë mllef ndaj qeverisjes së Ramës, vota në zgjedhjet lokale është më shumë tregues i mbështetjes popullore ndaj kandidatëve në garë.
Dako e pranoi vetë se në fushatë është Superman dhe në fushatën e ardhshme do të angazhohet maksimalisht si koordinator në nivel qarku, pasi nuk nguroi t’i sfidonte hapur demokratët duke u thënë: Harrojeni Durrësin. Ajo që ka qenë arma më e fortë në fushatë e Dakos, e pranuar edhe nga ai vetë, është kontakti dhe lidhjet e ngushta me kryetarët e fiseve, me njerëzit me ndikim në zonat e tyre (opozita e ka akuzuar Dakon edhe për lidhje me grupet kriminale, por përsa kohë Prokuroria ka heshtur për këtë çështje nuk po e përfshi në analizë). Jemi në vitin 2019, por fatkeqësisht në Durrës dhe Shqipëri ende votohet masivisht pro atij që të dikton njeriu më me influencë në rrethin familjar apo shoqëror. Votohet pro edhe ndaj atij që të ofron para. Shitblerja e votës është një fenomen i pranuar tashmë nga i gjithë spektri politik. Nëse në qytet këto dy fenomene mund të jenë më të limituar, në zonat periferike aplikohem në masë të madhe dhe të mos harrojmë se Durrësi është tashmë një bashki e madhe me një shtrirje deri në Ishëm, Katund të ri, Sukth etj.
Tërheqja e Dakos nga kandidimi do t’i jepte PD-së një shans për të tentuar të fitojë në Durrës. Kandidati tjetër nuk do mund të kishte të njëjtën mbështetje të gjerë. Kjo artikulohet gjerësisht nga socialistët durrsakë, që nuk u ndahet “zemra” nga kryebashkiaku i tyre. Me Dakon jashtë garës së drejtpërdrejtë, PD-së i duhet një kandidat gjithëpërfshirës, që pse jo të jetë i zoti të rrëmbejë edhe vota majtas, ashtu siç ka bërë Dako këto vite me të djathtët, të lëkundurit dhe të pavendosurit. Me një aleat si LSI, që në Durrës nuk dihet nga do të anojë, PD do duhet më së pari të evidentojë një personalitet të fortë dhe me mbështetje të gjerë. Më shumë se votë për partinë, gara në pushtetin vendor është një votë për individin. Mbështetjen popullore që po gëzon në këtë periudhë pas vendimit për djegien e mandatave, Basha dhe të tijët duhet ta transformojnë në mbështetje për kauzën e PD-së, mbështetje për njerëzit e zgjedhur nga PD për të përfaqësuar popullin në organet e qeverisjes lokale dhe ato qendrore. Një qeverisje për popullin e jo për liderin, një përfaqësim i interesit të gjerë publik, jo atij të ngushtë personal, personalitete që të ngjallin shpresë dhe frymëzim, jo servila të kryetarëve lokalë e atyre në qendër. Kjo është ajo që duhet të kuptojë Basha dhe lidershipi i PD-së.
Basha gaboi 4 vite më parë, kur u solli Grida Dumën durrsakëve. Vërtet vajzë Durrësi, por me lidhje të pakta me strukturat vendore. Humbja qe katastrofike. Basha gaboi edhe njëherë tjetër, 2 vite më parë, me listën e kandidatëve për deputetë, kur katapultoi në Durrës dy figura nga Tirana, Edi Palokën dhe Florion Mimën, duke i pozicionuar në vende të sigurta në listë.
Një gabim i tretë në Durrës do të ishte i pafalshëm…
M.B.