Është zbardhur dëshmia e 15-vjeçarit që është arrestuar nga Policia e Shkodrës si i përfshirë në vrasjen e Endri Mustafës, trupi i të cilit u gjet i pajetë të hënën në zonën e Livadheve.

Ai ka akuzuar drejtpërdrejt Ibrahim Licin si autor duke treguar dhe bisedën e fundit mes tij dhe viktimës,  ndërkohë që viktima i është lutur që të mos e vriste.

I mituri tregon se me viktimën kishin folur për disa rrënjë kanabisi që ai kishte mbjellë në zonën e Livadheve, dhe kishte kërkuar t’ia tregonte, por në momentin që i janë drejtuar zonës janë përballur me Ibrahim Licin e armatosur.

Sipas dëshmisë që 15-vjeçari ka dhënë përpara policisë, Lici pas vrasjes është larguar me motor.

“Biseduam me Endrin për t’i shitur një qengj. Rreth orës 18:00 i çova qengjin Endrit. Me Endrin kam bërë muhabet hashashi. I thashë Endrit se kisha mbjellë hashash. Hashashin e kisha mbjellë në zonën e livadheve. Më tha ‘do të ndihmoj të çosh kanabisin në shtëpi’. Pas kësaj rreth orës 22:00 u nisëm drejt livadheve.

Ibrahim Lici na doli përpara, kishte armë. Lici doli në vendin e quajtur gropa e ekskavatorit. Lici kishte armë në dorë, qëlloi Endri Mustafën. Endri i tha ‘mos me vrit pash Zotin se kam fëmijë’.

Ibrahim Lici e qëlloi përsëri madje dhe në fytyrë. Ibrahim Lici i tha Endrit ‘qofsh i xhenetit’ dhe u largua me motor nga vendngjarja”, ka deklaruar minoreni.