Të gjithë ata që shpresojnë të kalojnë pushimet në Evropë kanë marrë një paralajmërim që të mos bëjnë plane. Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, tha se njerëzit nuk duhet të bëjnë plane për pushimet verore sivjet.
“Ju këshilloj që të prisni. Askush nuk mund të bëjë parashikime në këtë pikë ku jemi. Duhet të mësojmë të jetojmë me virusin për shumë muaj, ndoshta deri vitin tjetër,” tha ajo për gazetën BILD, raporton The Sun.
Nga ana tjetër, Franca ka këshilluar vendet e Bashkimit Evropian që të mbajnë kufijtë mbyllur të paktën deri në fillim të tetorit.
Vetë Franca duket se do ruajë kufirin në mënyrë strikte deri më 31 tetor. Presidenti Emmanuel Macron ka bërë thirrje që kufijtë e jashtëm të Europës të jenë të mbyllur të paktën deri në shtator. Ndërkohë, mbrëmjen e sotme, Macron deklaroi para kombit francez se masat shtrënguese do të vijojnë deri në 11 maj.





