Vijojnë incidentet elektorale, rasti i fundit është regjistruar në Lezhë. Sipas Policisë lokale, dje rreth orës 14:50, në sallën e Komandimit u mor njoftimi se në fshatin Gjadër, Njësia Administrative Dajç, shtetasja M.N., 33 vjeçe, banuese në Gjadër është kanosur me armë zjarri nga disa persona.

Nga tërësia e veprimeve të deritanishme rezulton se rreth orës 14:30, shtetasja M.N. së bashku me vëllanë shtetasin E.N., kur po lëviznin me automjetin e tyre në Gjadër janë ndaluar nga një mjet fuoristradë tip ‘Benz’, nga ku kanë zbritur 3 persona.

Sipas kallëzimit të shtetases M.N., njëri prej tyre nën kërcënimin e armës së zjarrit pistoletë i ka kanosur ata dhe familjarët e tyre, me motivin që mos të shpërndanin lekë për fushatë elektorale.

Nga veprimet hetimore rezulton se autorë të dyshuar të kësaj vepre penale janë shtetasit: 
- S.N. 19 vjeç; G.M. 21 vjeç dhe A.M. 24 vjeç, të tre banues në Lezhë.

Veprimet në lidhje me këtë ngjarje janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor.

Strukturat e Policisë po punojnë për kapjen e personave të shpallur në kërkim.