Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje homologut të tij spanjoll, Pedro Sánchez, i cili është vendosur në qendër të akuzave për shkak se bashkëshortja e tij është në hetim për korrupsion.
Në një reagim në platformën “X”, kreu i qeverisë jep mbështetjen tij maksimale përkundrejt Sánchez, duke thënë se është krah tij në një kohë kur po gjendet përballë gënjeshtarëve, shpifësve dhe manipuluesve të fakteve nga skajet e sferës politike. Ai është i bindur se e vërteta do të triumfojë.
“I dashur Sanchezcastejon! Është privilegj të kem miqësinë tuaj dhe mundësinë për të punuar me ju në këto kohë të trazuara për vlerat dhe parimet në të cilat besojmë dhe luftojmë. Të kesh ty si udhëheqës të lëvizjes sonë socialiste do të thotë të udhëhiqemi në përpjekjet tona nga një njeri me mençuri dhe integritet të pamohueshëm. Ju keni të gjithë mbështetjen tonë në këto kohë ku më shumë se kurrë nevojitet qëndrueshmëri ndaj gënjeshtarëve, shpifësve dhe manipuluesve të fakteve nga skajet e sferës politike. Është nder të qëndroj pranë jush. Arritja juaj e presidencës së qeverisë përmes zgjedhjeve të ndershme dhe legjitime, dhe falë politikës së ndershmërisë, solidaritetit dhe vullnetit të pamëshirshëm për dialog që keni dhënë për kombin tuaj, është një arsye bindëse për të vazhduar luftën. Për Spanjën, për Evropën dhe për të gjithë ne”, shkruan Rama.
Në fund, ka një mesazh për të.
“Kurrë mos u dorëzo, kurrë mos u dorëzo, mos dysho kurrë se e vërteta do të mbizotërojë miku im i dashur”, përfundon kreu i qeverisë.
Ky reagim erdhi pasi Sanchez u shpreh se po mendonte dorëheqjen pas akuzave ndaj gruas së tij për korrupsion.