Kalimi i të gjitha shërbimeve që ofroheshin fizikisht në zyrat shtetërore deri më 30 prill në sistemin online të portalit e-albania ka krijuar një ngërç për sektorin e biznesit.

Kjo për shkak se regjistrimi i bizneseve nuk kryhet më pranë QKB-së. Prej një muaji, ky proces është thuajse i bllokuar, siç konfirmon për “DurrësLajm”, ekonomistja Edlira Jakova.

Ekonomistja Jakova e shpjegon këtë problematikë të theksuar të biznesit me një rast konkret nga puna e saj e përditshme, ku megjithëse janë kontaktuar edhe institucionet përgjegjëse, situata ende nuk ka gjetur zgjidhje.

“Një zonjë ka aplikuar 2 herë për hapjen e subjektit të saj, ku ajo do te jete aksionere dhe administratore e këtij subjekti. Të dyja herët aplikimi i është refuzuar nga Sistemi, sepse nuk përmbush kushtin e nënshkrimit elektronik për të dërguar aplikimin me firmë elektronike të saj. Procedura e radhës e ndjekur prej saj është pagesa e detyrimit prej 4800 lekë për t’u pajisur me nënshkrim elektronik, hyn në faqen e saj me të dhënat personale në e-Albania dhe kërkon të bëjë aplikimin për nënshkrimin elektronik, por nuk mundet ta bëjë, sepse personat të cilët mund të pajisen me nënshkrim elektronik janë të përcaktuar në sistem, të tipit administrator, farmacist, noter, etj. Zonja është individ, nuk ka asnjë nga këto profile dhe si pasojë nuk pajiset dot me nënshkrim elektronik. Pra problemi i saj nuk zgjidhet. Dritarja e vetme është komunikimi me zyrën qendrore të QKB-së të cilët kanë një formulë standarte të kthimit të përgjigjes të tipit, “dërgo një email në adresën [email protected] në lidhje me ankesën dhe problemin tuaj”, por asnjë përgjigje nga email-et e shumtë të dërguar.”

Por problematika me digjitalizimin e shërbimeve e krijuar që më datë 1 maj, nuk ekziston vetëm për bizneset që hapen për herë të parë, por edhe tek ata që janë të konsoliduar prej vitesh, por duan të bëjnë ndonjë ndryshim tek adresa, numri i aksionerëve etj.

Për Jakovën, mosfunksionimi i sistemit përkthehet në kosto të shtuar për biznesin dhe jo vetëm.

Në Durrës ka nisur prej gati një muaji sezoni turistik, ku çdo minutë e humbur nga bizneset, përveçse është kosto për ta, është edhe humbje për ekonominë e vendit. Nëse kjo problematikë e digjitalizimit të shërbimeve online do të vijojë gjatë, Jakova thekson se në vend që t’i afrojmë  investitorët qoftë të huaj e qoftë vendas, do t’i largojmë ata me duart tona.

Sipas saj, zgjidhja e këtij ngërçi do të ishte funksionimi paralelisht i shërbimeve fizike, kombinuar me ato online.

M.B.