DURRËS, 7 mars 2015 – Kremlini shfaq interes për çështjen Tomë Doshi. Në numrin e së premtes, 6 mars 2015, “Russkaja gazeta”, fletorja zyrtare e qevrisë së Federatës Ruse, botonte një lajm të zgjeruar me titullin “Spikeri i parlamentit shqiptar u akuzua për organizim vrasjeje (Spikera parlamenta Albanii obvinili v organizacii ubijstva)” (shih faksimilen dhe linkun: http://www.rg.ru/2015/03/06/albaniya-site.html). Pasi jepet thelbi i akuzave të “deputetit më të pasur të parlamentit shqiptar (samij bogatij deputat albanskogo parlamenta) Tomë Doshi, citohen replikat Berisha-Meta dhe emri i Shkëlzen Berishës.
Lajmi përmbyllet me këtë paragraf kuptimplotë:
“Ndërkaq kritika në adresë të lidershipit të PS-së nuk kaloi në heshtje dhe Tomë Doshi u përjashtua nga radhët e socialistëve. Bie në sy se ky vendim gjeti miratim në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Çfarë mund të nënkuptojë kjo? Mund të thuhet se vrasje të mëdha politike në të gjithë botën po ndodhin gjithmonë e më shpesh (Primechatelno, çto takoje reshenije nashlo odobrenije v posolstve SSHA v Tirane. Çtobi eto moglo znaçit? Ved gromkije politicheskije ubijstva po vsemu miru prois’hodjat vse çashçe)”.
Me sa duket, Moskës nuk i vjen mirë që Shtëpia e Bardhë nuk e “honeps” Tomë Doshin dhe shpreh përkrahje të hapur për shumicën qeverisëse. Ka dhe një aludim të hapur mbi likuidimin e Nemcovit, ish-oponentit të Putinit, që Uashingtoni dhe Brukseli e kanë dënuar, teksa shkruhet se “vrasje të mëdha politike në të gjithë botën po ndodhin gjithmonë e më shpesh”.
Nga ana tjetër, asnjë medie tjetër rusishtfolëse nuk është marrë me çështjen “Tomë Doshi”.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë shprehur shqetësimin se Kremlini synon destabilizimin e Shqipërisë e Kosovës për të shkaktuar trazira në Ballkan. Opozita shqiptare ka paralajmëruar për trazira, revolta dhe revolucion për përmbysjen e qeverisë pro-euroatlantike.
Info / “Rossijskaja Gazeta”
“Rossijskaja Gazeta” është gazetë në gjuhën ruse, që botohet në Rusi, organi zyrtar shtypi i Qeverisë së Federatës Ruse. Gazeta u miratua nga Sovjeti Suprem i Federatës Ruse, numri i parë doli më 11 nëntor 1990. Në vitin 1993 kaloi në varësi të Qeverisë së Rusisë.
Pas publikimit në këtë botim, hyjnë në fuqi dokumentet shtetërore: ligjet kushtetuese federale, ligjet federale (përfshi kodet), dekretet e Presidentit të FR-së, vendimet e Qeverisë së FR-së, aktet normative të ministrive dhe institucioneve qendrore.
Publikohen gjithashtu lajme, reportazhe dhe intervista të veprimtarëve shtetërorë, komentarë për dokumente zyrtare. Statusi i publikuesit zyrtar të dokumenteve përcaktohet sipas Ligjit të Federatës Ruse “Mbi rendin e publikimit dhe hyrjes në fuqi të ligjeve federale kushtetuese, ligjeve federale, akteve të dhomës së asamblesë Federale” dhe një sërë dokumentesh të tjera.
Në fillim të vitit 2007 tirazhi i versionit të shtypur të botimit bazë arriti në mbi 400 mijë kopje. Shtypet në 44 qytete të Rusisë, numrat e gazetës shoqërohen me inserte rajonale dhe shtojca tematike. Gazeta boton seri librash me dokumente shtetërore dhe komentarë për ta.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





