MOSKË, 29 gusht 2013 – Qëllimi i krijimit të Shqipërisë së Madhe nuk është anuluar nga askush. Territoret e Maqedonisë dhe Malit të Zi, të populluara nga shqiptarët, nuk kanë qenë kurrë të përjashtuara nga planet e shqiptarëve të Kosovës, kurse shqiptarët në territorin e ish-Jugosllavisë prisnin vetëm sinjalin, kur çështja e Kosovës të bëhej e rëndësishme për organizatat ndërkombëtare. I tillë u bë viti 1999, ose më saktë, sikurse e konsideron radiostacioni “Zëri i Rusië” “agresioni” i NATO-s kundër Serbisë dhe Malit të Zi.Dokumentet e nënshkruara në qershor të po atij viti i treguan botës se në rolin e mbrojtësve të shqiptarëve dolën haptazi NATO-ja, SHBA-ja dhe Gjermania.Më 19 mars të vitit 2001 mbi ekzistencën e vet deklaroi grupi militant i shqiptarëve në Mal të Zi. Ndërkohë, duhet thënë, se ata nuk janë aspak të privuar nga të drejtat e tyre. Sipas Moskës, Kushtetuta e Malit të Zi garanton përdorimin e simboleve kombëtare, të gjuhës amtare deri tek institucionet shtetërore, marrjen e arsimit në gjuhën amtare, krijimin e organeve vendore të vetadministrimit, përfaqësimin në Kuvend (Skupshtina) e kështu me radhë. Ata kanë lidhje shumë të ngushta me Kosovën, me Shqipërinë.Kremlini është në panik: në vitin 2004 në faqen e internetit, rrënjët e së cilës e marrin fillesën në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa ofruesi (provider) ndodhej në Francë, postoheshin paralajmërime në adresë të Qeverisë së Malit të Zi për të mos i shtypur e ndrydhur shqiptarët në republikë, përndryshe në Ballkan do të ketë probleme. Në faqen kryesore të sajtit ishte vendosur shenja e “Armatës Kombëtare Shqiptare të Malit të Zi”. Shqiptarëve të Malit të Zi – ata përbëjnë rreth 5% (ndërsa sipas disa burimeve të tjera, 7%) të popullsisë së republikës – u drejtohej thirrja: “Vëllezër dhe motra, le ta bëjmë Shqipërinë një të vetme, dhe, nëse do ta lypë nevoja të flijojmë për të mijëra jetë”.Sipas Elena Guskovës së radios “Zëri i Rusisë”, mjaft e favorshme për ekstremistët shqiptarë u bë gjendja në Mal të Zi, kur marrëdhëniet midis Serbisë dhe Malit të Zi hynë në fazën e fundit të krizës. Ata vendosën të përfitojnë nga fakti që udhëheqja e Malit të Zi ishte e zënë me problemet e ndarjes nga Jugosllavia. Në shtator të vitit 2006 policia arrestoi 14 shqiptarë, të cilët ishin të dyshuar për përgatitjen e akteve terroriste. Opinioni publik u informua se fjalë bëhej për një grup shqiptar të mirë-organizuar dhe të mirë-armatosur (katër prej të ndaluarve kishin shtetësi amerikane) të lidhur ngushtë me bashkëfisësit e tyre në Kosovë. Hetimi zgjati pothuajse një vit. Ai erdhi në përfundimin se militantët synonin të krijonin me forcë në Mal të Zi "rajonin shqiptar", ndërsa financimin e tyre e kishte marrë përsipër emigracioni shqiptar nga Detroiti. Shqiptarët janë dënuar, por kauza e tyre vazhdon të jetojë ende.Me sa duket Kremlini nuk është dakord me dialogun Prishtinë-Beograd, teksa vihet në dukje se nxitje e madhe për aktivizimin e shqiptarëve të rajonit u bë nënshkrimi në prill të vitit 2013 në Bruksel i marrëveshjes në mes të Prishtinës dhe Beogradit, e cila faktikisht njohu pavarësinë e Kosovës. Në gusht të këtij viti themeluesi i Lëvizjes “Shqipëria Natyrale” Koço Dinaj ka ringjallur idenë e nënshkrimit të peticionit mbi domosdoshmërinë që të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet. Duke përdorur mjetet moderne të komunikimit peticionin po e nënshkruajnë tani parlamentarët nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Qëllimi i tij – të vihet Evropa përpara domosdoshmërisë për të respektuar vullnetin e shqiptarëve në rajon që të bashkohen në një shtet të vetëm. Shqiptarët e Malit të Zi mbështesin iniciativën e korrigjimit në mënyrë jo të dhunshme të “gabimeve historike” të bëra ndaj popullit shqiptar.

Pra, shqiptarët e Malit të Zi po hyjnë në rrugën e mbështetjes së hapur të projektit të krijimit të një shteti të unifikuar shqiptar në Ballkan për të gjithë shqiptarët e rajonit ballkanik. Pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Beogradit dhe Prishtinës ky proces po fiton vrull dhe është aktivizuar në të gjitha territoret ku shqiptarët përbëjnë – ose besojnë se përbëjnë – shumicën, shprehet e dëshpëruar komentuesja ruse Guskova.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/