Rusia ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Mbretërisë së Bashkuar për të kryer kontrolle në anije me interesa ruse, duke e cilësuar atë një veprim “armiqësor” dhe duke paralajmëruar kundërpërgjigje.
Sipas agjencisë TASS, ambasada ruse në Londër ka deklaruar se Moska do të reagojë me masa politike, ligjore dhe “asimetrike” për të mbrojtur interesat e saj.
Më herët gjatë ditës, kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi se ka autorizuar forcat e armatosura të kryejnë kontrolle në anije me lidhje ruse që kalojnë në ujërat territoriale britanike. Qëllimi i kësaj mase, sipas Londrës, është goditja e të ashtuquajturit “flotë hije”, që dyshohet se përdoret nga Moska për të eksportuar naftë duke shmangur sanksionet perëndimore.
Ambasada ruse në Londër e cilësoi vendimin si “një tjetër hap thellësisht armiqësor ndaj Rusisë”, duke paralajmëruar për rrezik përshkallëzimi të mëtejshëm të tensioneve në fushën e sigurisë dhe tregtisë ndërkombëtare.
“Njoftimet e pamatura për ndërhyrje ndaj anijeve tregtare ruse tregojnë një dëshirë për përshkallëzim të një situate tashmë të tensionuar”, thuhet në reagim.
Moska thekson se veprime të tilla do të kenë pasoja dhe paralajmëron se lundrimi në ujërat britanike mund të bëhet i pasigurt, pasi çdo anije mund të përballet me ndalim apo sekuestrim të paligjshëm.
Në përfundim, Rusia nënvizon se do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion – përfshirë edhe masa “asimetrike” – për të mbrojtur interesat e saj.





