Autoritetet ruse e kanë cilësuar si “akt të terrorizmit ndërkombëtar” sulmin ndaj një anijeje ruse për transportin e gazit natyror të lëngshëm në Detin Mesdhe.

Deklarata u bë nga Nikolai Patrushev, këshilltar i presidentit rus Vladimir Putin, sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax.

Më herët këtë muaj, Ministria ruse e Transportit njoftoi se anija Arctic Metagaz, e cila transportonte gaz natyror të lëngshëm nga porti i Murmanskut në Arktik, ishte sulmuar nga dronë detarë ukrainas. Sipas të njëjtit burim, dronët ishin lëshuar nga brigjet e Libisë.

Anija në fjalë ishte vendosur nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, pasi konsiderohej pjesë e “flotës në hije” të Rusisë, një rrjet cisternash që përdoren për të transportuar naftë dhe gaz në mbarë botën duke shmangur sanksionet perëndimore.