Financimi i projekteve të reja artistike, shpërblimet e aktorëve apo të drejtat e autorit mbeten peng i bllokimit të punës së këshillit të kulturës. Buxheti standart i pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” nuk mund t’i mbulojë këta zëra të veçantë e kjo ka shkaktuar jo pak probleme për trupën e aktorëve dhe regjizorët e teatrit. Një fakt i tillë pranohet nga drejtori i pallatit të kulturës, Bashkim Hoxha, i cili në një intervistë për gazetën “Dyrrah” thekson se vështirësitë e krijuara në këtë drejtim janë të mëdha, por deri tani shpresohet se me konstituimin e këshillit të ri dhe nisjen e tij nga puna do të bëhet e mundur thithja e fondeve dhe akordimi i shpërblimeve të prapambetura. Në një kohë kur jemi në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë, bllokimi i kësaj natyre nuk bën gjë tjetër veçse kufizon mundësitë për hartimin dhe realizimin e projekteve të ndryshme të planifikuara për t’u realizuar nga trupa teatrore. Ndërkohë që nënvizon faktin se jeta kulturore në qytetin e Durrësit është e pasur, Hoxha sheh si një handikap të madh mungesën e një kinemaje në qytet. Ndërsa në Durrës organizohet çdo vit një festival ndërkombëtar filmi, ku nuk kanë munguar emra mjaft të njohur të kinemasë botërore, shfaqja e filmave konkurues bëhet në sallat e teatrit “Aleksandër Moisiu”, pasi qyteti mijëra vjeçar nuk ka një kinema. Mungesa e një kinemaje është një absurditet i pashpjegueshëm për ditët tona, pasi në vitet para Luftës së Dytë Botërore në qytetin tonë nuk funksiononin pak, por gjashtë të tilla.
Si mund ta përkufizoni vitin që sapo u mbyll përsa i përket aktiviteteteve të zhvilluara nga institucioni që ju drejtoni?
Të suksesshëm. Pesë premiera në një vit, vlerësuar nga kritika dhe nga spektatori, qëndrojmë në vijën e parë të teatrove shqiptare. Në këto premiera ka komedi, farsa, drama, të cilat publiku i ka duartrokitur ngrohtësisht. Në këtë repertor ka pjesë të huaja dhe krijime origjinale shqiptare, interpretime të shquara të aktorëve dhe krijime regjisoriale të vlerësuara edhe me çmime në përballje të festivaleve mbarëkombëtare në Gjilan (Kosovë) e në Dibër (Maqedoni).
Zoti Bashkim, në festivalin mbarëkombëtar të Dramaturgjisë Shqipe regjizori dhe njëri nga aktorët u nderuan me çmime. Ç’do të thotë kjo për teatrin e Durrësit?
Të marrësh një çmim në festivalin e Gjilanit është një gjë e veçantë, sepse është i vetmi festival i dramaturgjisë shqipe. Përveç vlerësimeve profesionale të merituara, këto çmime janë edhe një vlerësim për kontributet e dhëna në një çështje tejet të rëndësishme siç është promovimi i dramaturgjisë shqipe.
Thuhet gjithmonë se për të bërë art është shumë e vështirë, pasi mungojnë financimet. Me buxhetin që keni në dispozicion mendoni se mund të realizoni të gjitha projektet artistike?
Të gjitha këto premiera janë realizuara me buxhetin e teatrit. Sigurisht ka vështirësi, sepse disa zëra specifikë të teatrit si të drejtat e autorit, shpërblimet artistike e të tjera si këto nuk i përmbajnë zërat e një buxheti standart. Ato përgjithësisht jepen në financime projektesh nga këshilli i kulturës i bashkisë. Vonesa në konstituimin e këtij këshilli ka krijuar shumë vështirësi, të cilat i kemi kapërcyer me besimin se diçka do të kompesohet sapo të vendoset normaliteti institucional.
Një ngërc për jetën kulturore në Durrës mund të konsiderohet edhe bllokimi i punës së këshillit të kulturës në bashki. Cili është mendimi juaj personal dhe ai i komunitetit të artistëve lidhur me punën e zhvilluar nga ky këshill në të kaluarën?
Ju e përcaktuat mirë. Ngërci vjen nga kjo situatë e moskonstituimit dhe jo nga veprimi. Veprimet gjykohen, analizohen, por kjo nuk duhet të bllokojë në asnjë çast funksionimin e një strukture të tillë, pa të cilën pengohen gjëra të rëndësishme.
Ky vit përkon me 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Cilat janë aktivitetet që ka programuar institucioni juaj lidhur me këtë ngjarje të shënuar?
Ka mjaft aktivitete të rëndësishme. Së pari, trupa e teatrit profesionist do të përgatitet denjësisht për festivalin mbarëkombëtar të dramës shqipe që thuhet se do të zhvillohet në Tiranë. Një koncert jubilar gjithashtu është menduar nga formacionet pranë qendrës kulturore “A. Moisiu”. Por 100 vjetori i pavarësisë do të shënojë edhe tonalitetin e repertorit të këtij viti dhe një numër të madh veprimtarish jo profesioniste që do të bëhen me nxitjen e institucionit tonë.
Jemi në prag të përvjetorit të 60-të të krijimit të teatrit. Çfarë nënkupton kjo për ju dhe trupën e teatrit "Aleksandër Moisiu"?
Kemi hyrë në vitin jubilar që kulmon më 11 janar 2013. Është një përgjegjësi për t’u përballur e për të promovuar vlerat e këtij teatri në vite. Përveç shpalosjes së arkivit kemi menduar të bëjmë edhe një shfaqje domethënëse jubilare. Jemi në grumbullimin e ideve dhe të propozimeve për të vendosur se çfarë do të bëjmë konkretisht.
Ju njiheni si një njeri i artit e kulturës. Sipas mendimit tuaj, ekzistojnë mundësitë që në Durrës të bëhet akoma më shumë në drejtim të gjallërimit të jetës kulturore?
Jeta në Durrës, për hir të së vërtetës do thënë se është jo pak e gjallë. Punë tjetër që shtypi lokal nuk e ndjek atë në vazhdimësi dhe mungon informacioni. Dashamirësit e teatrit gjejnë shfaqje në fundjavë, dashamirësit e muzikës gjejnë koncertet e tyre çdo të enjte, dashamirësit e filmit gjejnë një festival ndërkombëtar dhe kanë mundësi të takohen me yje botërorë. Jeta kulturore në qytetin tonë është e gjallë. Nëse edhe vet gazetarët do të bënin pak më shumë jetë kulturore ne do të kishim një informim më të gjerë të publikut për këtë. Me që ra fjala, shumë pak prej jush gazetarëve shoh në sallë në ditën e shfaqjes për shtypin që ne bëjmë për premierat e reja në teatër e në ditët kur sallën e mbushin spektatorët entuziastë.
Trupa teatrore e Durrësit ka në përbërje të saj si aktorë të afirmuar tashmë prej shumë vitesh, po ashtu dhe aktorë të rinj. Sa janë mundësitë reale që studentët që mbarojnë Akademinë e Arteve të mund të gjejnë hapësirat për të shprehur aftësitë e tyre?
Janë mundësitë e një trupe që në organikën e vet ka 12 vetë. Këto mundësi po i shfrytëzojmë në maksimum.
Durrësi, për nga rëndësia, renditet i dyti pas Tiranës, por ama një tregues shumë negativ është fakti që në vitin 2012, qyteti ynë nuk ka kinema. Cili është komenti juaj për këtë?
Sigurisht Durrësi e meriton një kinema. Besoj se kjo është edhe në projektet e bashkisë, e cila një ndër pikat e forta në politikat e veta e të turizmit ka një festival filmi prestigjoz, që nuk mund të zhvillohet siç duhet në sallën specifike të një teatri.
Një pyetje personale. Ju njiheni gjithashtu si njeri i letrave, keni shkruar romane, vitin e kaluar u vu në skenë një dramë e juaja. Keni ndërmend ndonjë projekt të ngjashëm gjatë këtij viti?
Po. Jam duke punuar për një komedi për 100 vjetorin e Pavarësisë. Eshtë këshilli artistik që do të bëjë përzgjedhjen midis veprave të tjera, që shpresojmë të na vijnë në këtë kuadër.