Një tjetër kryetar bashkie është gjobitur për mos menaxhimin e mbetjeve në terren, të hedhura në mënyrë të jashtëligjshme.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka gjobitur me 500 000 lekë kryetarin e Bashkisë së Krujës, Artur Bushi. Në më pak se një muaj, Bushi është kryebashkiaku i tretë që gjobitet për keqmenaxhimin e mbetjeve, pas inspektimeve që AKM ka bërë në terren.
Tonin Marinaj, kryetari i bashkisë Malësia e Madhe ishte i pari që u gjobit pas konstatimit të mbetjeve të hedhura në zonën e Razmës, ndërsa pak ditë më parë kryetari i bashkisë Poliçan Adriatik Zotkaj po ashtu u gjobit me 500,000 lekë, pas konstatimit se në territonin e menaxhuar nga bashkia gjendeshin pirgje mbetjesh.
Më herët, në një komunikim publik, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka paralajmëruar se gjoba ndaj kryetarëve të bashkisë do të aplikohet sa herë në territor konstatohen keqmenaxhime të mbetjeve. Edhe kryeministri Edi Rama e ka përsëritur disa herë se pastrimi i territorit dhe mjedisi janë prioritete të këtij mandati.
Gjoba ndaj kryetarit të bashkisë parashikohet nga ligji “Për menaxhimin e mbetjeve”, i cili është miratuar që në vitin 2011, por ky sanksion që ndëshkon direkt titullarin më të lartë të bashkisë nuk ishte aplikuar ndonjëherë përpara këtij viti.