Nga Roland Qafoku
Duhet të ishe në mendjen e shqiptarit të madh, Spirodon Ilo, në vjeshtën e vitit 1912, që të shkruaje disa vargje të cilat sot disa mund t’i quajnë jashtë mode, por, atë kohë, Shqipëria nuk ekzistonte fare si shtet.
O flamur i Amerikës,
Mëmë e lirisë.
Ndihmo dhe të Shqipërisë,
Për irë të Perëndisë!
Ilo shiti të gjithë biznesin e vet në SHBA, dhe, bashkë me të tjerë, erdhën në Shqipëri atë fund nëntori dhe shpallën pavarësinë e mëmëdheut. E ndërsa Europa tundej e lëkundej si në vargjet e “Lahutës së Malësisë” së Fishtës, këta shqiptarë vetëm tek një shtet i kishin sytë dhe besimin, te SHBA. Kontinenti plakë me Anglinë, Francën, Gjermaninë, e copëtuan dhe e zvogëluan Shqipërinë dhe në Konferencën e Paqes pothuajse e shpërbënë. Por ishte po SHBA që ia ridha pavarësinë.
Çudia vjen në vitin 2017, pra pak më shumë se 105 vjet nga shteti që na e konfirmuan amerikanët, ne i treguam kurrizin kësaj Amerike.
Me 128 vota pro, 9 kundër dhe 35 abstenim, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kundërshtoi njohjen që SHBA i bëri Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. Votimi i të enjtes së 21 dhjetorit, nuk do të merrte asnjë vëmendje, nëse Shqipëria jonë nuk do të votonte kundër SHBA. Mes lumit të reagimeve ku gati çdo shqiptar e ka dhënë tashmë mendimin e vet, nëse Shqipëria kishte bërë mirë apo keq që kishte votuar kundër SHBA, dy janë deklaratat më të rëndësishme: E para ajo e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe e dyta e presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Ja rreshtat më të rëndësishëm të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.
“Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta e Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve. Fakt është që, rezoluta pro të cilës votoi Shqipëria dje, i referohet Rezolutave të mëparshme të Këshillit të Sigurimit. Më konkretisht, Rezoluta 252 e vitit 1968, Rezoluta 476 e vitit 1980, Rezoluta 478 e vitit 1980 dhe me e fundit, Rezoluta 2334 e vitit 2016. Këto rezoluta janë bërë pjesë e korpusit të normave ndërkombëtare dhe rrjedhimisht, janë të detyrueshme për ne. Po ashtu, Shqipëria ka votuar në mënyrë konstante pro rezolutave të OKB-së, në lidhje me procesin e paqes në Lindjen e Mesme, në tërësi, dhe në veçanti pro rezolutës specifike që trajton çështjen e vendbanimeve në territoret e pushtuara, përfshi Jerusalemin Lindor, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ky qëndrim i konsoliduar i Shqipërisë, ka qenë e mbetet i njëjtë, pavarësisht se kush ka qenë në drejtim të punëve të shtetit, përfshi këtu votimin në vitin 2012 dhe në vitin 2013, e deri sot si shumica dërrmuese e vendeve të OKB-së”.
Dhe ja rreshtat më të rëndësishëm të letrës, që presidenti Ilir Meta i dërgoi presidenti të SHBA, Donald Trump.
“Dëshiroj të shpreh keqardhjen e madhe për votën e Shqipërisë dje në OKB, kundër aleatit dhe mikut tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Kjo votë është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe as me Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA-së, në momentet më të vështira të ekzistencës së tij. Do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të qeverisë, që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare!”
Po, a është normal ky debat dhe a është e drejtë vota që Shqipëria dha kundër SHBA? Besojmë se nuk ka asnjë vlerë, përveç vetëm një fakti që ne kemi votuar kundër dhe kjo votë është një turp, për shumë e shumë arsye. Mund të kishim abstenuar, mund të mos merrnin fare pjesë, mund të bënim ç’të donim ne, por kurrë nuk duhet të jepnim ne, një votë kundër SHBA-së! Ka disa syresh analistë, facebook-istë, portalistë që thonë se, edhe shumë të tjerë votuan kundër. Po çfarë është kjo idiotësi me brirë, more zotërinj! Si ka mundësi që mes këtyre 128 shteteve, të jemi edhe ne? Si ka mundësi që ne të barazohemi me Anglinë, Francën, Gjermaninë e të tjerë e të tjerë, që nuk e kanë patur ndonjëherë problem ekzistencën e vet si shtet dhe komb? Si ka mundësi që të barazohemi me këtë Europë që na copëtoi, na ndau, na shqeu dhe bëri si një lopë të therur, copat e trojeve tona. Ua dha si llokma fqinjëve të uritur, aq sa me gojën e vet, kryeministri Tony Blair kërkoi falje për ministrin Edward Grey, për vendimin në Konferencën e 1913-ës. Jo. Asnjë nga këto 128 shtete nuk është si Shqipëria dhe kombi shqiptar. Ne i kemi shumë borxhe Amerikës.
SHBA mbështeti pavarësinë e Shqipërisë më 1912-n, nëpërmjet shqiptarëve që ishin atje. Më 1919-n, e mbështeti Shqipërinë me supervotën e saj në konferencën e Paqes, duke i dhënë pavarësinë reale që e kishte humbur nga lufta e Parë Botërore. Më 1922-shin, SHBA vendosi marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, duke u bërë ndër shtetet e para në botë. Vetëm 4 vjet më vonë, Kongresi mori vendimin që, në Tiranë të ndërtohej godina e kësaj ambasade. Rëndësia e këtij vendimi është e madhe, po të kujtojmë se godina në Rrugën e Elbasanit, është e para që departamenti i shtetit ndërtoi jashtë SHBA-ve. Më 7 prill 1939, kur Italia pushtoi Shqipërinë dhe Europa “rrinte dhe vështronte”, SHBA ishte i vetmi shtet në botë që protestoi ashpër.
Më 1999-n, presidenti Bill Clinton dha votën për bombardimin e Serbisë së Millosheviçit, për genocidin e pashembullt në Kosovë. Më 2004-n, ishin kongresmenët e SHBA, ata që miratuan rezolutën që Kosova të shpallej shtet i pavarur. Më 10 qershor 2007, presidenti Bush teksa vizitoi Tiranën, shpalli si të vetmin opsion që Kosova të ishte shtet i pavarur, pavarësi që e zyrtarizoi më 17 shkurt 2008. Më 2009-n, ishte vota e fortë e SHBA e cila bëri që Shqipëria të anëtarësohej në NATO. Dhe e fundit në kronologjinë kohore, por jo për nga rëndësia, reforma në drejtësi për të forcuar shtetin ligjor, është ekskluzivisht projekt i SHBA-së.
Nga e gjithë kjo panoramë kuptohet mjaft qartë që, lumi i të mirave Shqipërisë i ka ardhur pikërisht nga SHBA dhe nga askush tjetër. Sot nuk ka vend të ndash një popull në pro dhe kundër Amerikës. Kjo është një miqësi dhe një lidhje që nuk e shkuli dot as Enver Hoxha, gjatë 46 viteve diktaturë komuniste, kur SHBA cilësohej armiku numër një në botë. Ndryshe do të ishte sikur të enjten e 21 dhjetorit, vota jonë të mos ishte kundër SHBA. Ajo votë ishte mosmirënjohje dhe një turp që nuk do ta kapërdijmë për vite e dekada. Ishte një turp! / Albanian Free Press/