43.000 familje kanë bërë ndryshimin e adresave në gjendjen civile prej shkurtit deri në 27 korrik 2017, kohë në të cilën skadoi dhe afati për të mos u penalizuar me 10 mijë lekë gjobë, penalitet i cili deri më tani është aplikuar për 40 raste.
Kreu i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj shprehet se duke parë fluksin e madh të kërkesave do t'i drejtohen Parlamentit me një kërkesë për të zgjatur afatin e amnistisë.
“Në muajt e parë ka qenë një fluks normal, por u vu re një rritje e konsiderueshme pas procesit të zgjedhjeve”, tha Doracaj.
Sipas Doracit, muaji korrik ka pasur fluksin më të madh të ndryshimeve në adresarët e gjendjes civile kjo pasi qytetarët janë informuar intensivisht.
“Duke vlerësuar numrin madh të kërkesave dhe fluksit, menjëherë me mbledhjen e kuvendit të ri, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të kërkojë një shtyrje afati prej 6 muajsh apo një viti”, u shpreh Doracaj.
Ndalur tek shërbimet që kufizojnë qytetarët të cilët kanë adresa fiktive Doracaj shprehet se pa sistemimin e adresave, nuk përfiktohet vërtetimi banorë lagje që të jep mundësi për t'u pajisur me kartën e rezidentit, apo regjistrimin e fëmijëve në çerdhe, kopshte e shkolla.
“Atij do ti duhet të marrë një vërtetim që është banor i lagjes, nëse ai nuk e ka leje banimi në zyrën e gjendjes civile aty ku ka banimin ai nuk mund ta përfitojë vërtetimin. Nga ana tjetër, në Tiranë, ka filluar një projekt pilot për kartat e rezidentëve për parkimin e mjeteve aty ku ti je rezident, të cilën nuk mund ta përfitosh nëse nuk je banor me leje banimi aty ku banon”, nënvizoi Doracaj.
Dhe pse zyrtarisht ende nuk ka një shifër reale se sa familje kanë adresë fiktive në regjistrin kombëtar burime për Report Tv nga Ministria e Brendshme bënë me dije se mbi 290 mijë familje rezulton me adresa fiktive dhe pritet që brenda vitit 2017 të sistemohen. /Reporttv