21 janar 2014 – Spitalet do të gjobiten nëse nuk u ofrojnë shërbimin e duhur shëndetësor pacientëve. Fondi i Sigurimeve Shëndetësore bën të ditur se në kontratat e këtij viti është vendosur që ndaj spitaleve të aplikohen gjoba që do të variojnë nga 500 mijë deri në një milion lekë, nëse personeli mjekësor nuk u shërben sipas rregullave pacientëve. “Në rastet e mosdhënies së shërbimit për pacientët, kur kushtet e spitalit e mundësojnë atë, spitali gjobitet me një milion lekë. Gjithashtu, në rast të ofrimit të shërbimit jo në përputhje me standardet profesionale dhe etike të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe urdhrat e profesionistëve, spitali gjobitet me 500 mijë lekë”, sqarohet në njoftimin e Fondit. Gjithashtu, Fondi ka vendosur të ashpërsojë masat edhe ndaj farmacive dhe qendrave shëndetësore. Për herë të parë, në kontratat me qendrat shëndetësore është parashikuar ndërprerje kontrate individuale e mjekut dhe dërgim për ndjekje penale në rastet kur ai plotëson recetë me rimbursim fiktive. Ndërsa për farmacitë që do të japin ose kanë dhënë barna përtej datës së skadencës, është përcaktuar zgjidhja e kontratës për një periudhe kohore jo më pak se një vit.
/panorama /





