Mot i acartë dhe reshjet e dëborës kanë shkaktuar kaos në transportin ajror dhe rrugor në disa vende të Evropës. Aeroporti i Amsterdamit Schiphol, një nga më të mëdhenjtë në kontinent, ka anuluar të paktën 700 fluturime për shkak të borës dhe erërave të forta, pas disa ditësh ndërprerjesh të vazhdueshme.
Autoritetet e aeroportit njoftuan se mbi 1 mijë pasagjerë janë detyruar të kalojnë natën në ambientet e Schiphol. Për udhëtarët e bllokuar janë vendosur shtretër provizorë dhe është ofruar ushqim, ndërsa paralajmërohet se numri i fluturimeve të anuluara mund të rritet gjatë ditës.
Situata e vështirë nga moti i keq po prek edhe Francën. Rreth 100 fluturime u anuluan të mërkurën në mëngjes në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit, ndërsa 40 fluturime të tjera u pezulluan në aeroportin Orly, për shkak të reshjeve të dëborës dhe temperaturave shumë të ulëta.
Për shkak të rrugëve të ngrira, shërbimi i autobusëve publikë në Paris dhe në zonat përreth është pezulluar, megjithëse shumica e linjave të metrosë dhe trenave periferikë vijojnë të funksionojnë.
Shërbimi meteorologjik francez, Météo France, bëri të ditur se 38 nga 96 departamentet e vendit janë në alarm për reshje të dendura dëbore dhe ngrica. Sipas tij, janë regjistruar nga 3 deri në 7 centimetra dëborë, ndërsa vala e të ftohtit po cilësohet si me intensitet të rrallë për këtë periudhë të vitit.
Autoritetet franceze u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe, kur është e mundur, të punojnë nga shtëpia.





