Foto: Durrësi sot, e enjte 3 shkurt
Për të gjithë ata që e duan dimrin, por jo të ftohtin e hidhur apo shiun, shkurti parashikohet të jetë një muaj ideal. Sinoptikania Lajda Porja, në një lidhje direkte me emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, jep lajmin e mirë se në këto ditë të para të muajit shkurt, do të shijojmë rrezet e diellit.
“Mëngjesi i sotëm ka regjistruar temperatura të ulëta në zonat malore, -7 gradë në qytetin e Peshkopisë. Janë temperatura disi më të ulëta krahasuar me vlerat që duhet të shënojnë, rreth 3-4 gradë si pasojë e riaktivizimit të masave të ftohta polare në vendet e rajonit. Nuk presim ditë shumë të ftohta. Dita e nesërme do të sjellë një rritje të lehtë, jo shumë të ndjeshme ku sërish zonat malore mbeten në vlerën -5 gradë. Mëngjeset në zonat e ulëta dhe bregdete priten të jenë relativisht nga 2-6 gradë. Ndërkohë zonat malore mbeten në -2 apo -3 gradë, shumë pranë vlerave klimatike. Situata është në përmirësim, teksa maksimalet priten të ngjiten deri në 14 gradë gjatë fundjavës. Na pret një fundjavë me diell, sidomos nga ora 10 e mëngjesit e deri në 14:30 pritet mot i mirë në pjesën më të madhe të territorit. Zonat malore do të kenë vranësira në pjesën e dytë të ditës.
Pas këtyre ditëve të para, sipas metereologes, muaji do të vazhdojë të ketë ditë me diell. Planet e fundjavave mund të vazhdojmë t’i realizojmë qetësisht, pa u shqetësuar nga ndonjë shi i papritur.
“Përveç këtyre vlerave që regjistrohen gjatë këtij episodi të ftohtë, pritet që edhe java tjetër të sjellë rritje të lehtë dhe graduale. Parashikohet që shkurti të mos jetë shumë i luhatshëm ndaj tipareve të tij klimaterike. Nuk presim temperatura ekstremisht të ulëta si në muajin janar. Shkurti është një muaj i thatë në reshje dhe i ftohtë. Mëngjeset do të vijojnë të jenë të freskëta në bregdet dhe zonat e ulëta, të ftohtë në zonat malore. Mesdita parashikohet me vlera të larta dhe do jetë i pranishëm rrezatimi diellor, deri në temperatura edhe 17 gradë”.