E diela parashikohet të jetë dita më e ftohtë. Temperaturat pritet të bien deri në -5 gradë celcius në qytetin e Peshkopisë, ku shërbimi “Meteoalb” parashikon vlerat më të ulëta të termometrit. Lagështia në ajër dhe era që do të fryjë e fortë në bregedet dhe me drejtim nga verilindja sipas meteorologëve do të bëjë që i ftohti të ndjehet më tepër.
“Por jo vetëm Peshkopia e gjithë zona verilindore dhe juglindore pritet të jenë në vlera negative nga -2 në – 4 gradë celcius duke bërë që të kemi temperatura tipike dimri. Sa i përket orëve të mesditës edhe aty kemi pas një rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit shkojnë jo më shumë se 12 gradë celcius”, u shpreh meterologu Akil Osmani.
Rritje e temperaturave parashikohet duke nisur nga dita e hënë. Ajo do të jetë graduale dhe do të kulmojë në mesjavë.
“Parashikohet që mesjava të sjelli temperatura më të larta në vlerën 16 apo 17 gradë celcius në orët e mesditës ndërsa orët e para të mëngjesit parashikohet të kemi temperatura pozitive edhe në zonat malore duke bërë ta kalojnë në 0 apo 1 gradë celcius”, theksoi ai.
Vlerat që po shënon termometri këtë fundjavë sipas meteorologëve janë tipike dimërore. Ndërkohë të dielën reshjet e borës dhe shiut do të të largohen nga territori duke ia lënë vendin një qielli me intervale vranësirash dhe kthjellimesh.