Dita e sotme ka sjellë mot të keq në thuajse të gjithë territorin e Shqipërisë, duke shkaktuar probleme serioze në disa qytete.
Vlorën e goditi stuhia më vonë, ku reshjet e dendura sollën përmbytje me nivele uji deri në 20-30 cm, e në disa zona deri në 50 cm. Lagjet më të prekura ishin Rilindja, biblioteka dhe zona e Skelës, ku shumë banesa dhe biznese u përmbytën. Po ashtu, qyteti mbeti pa energji elektrike.
Në Lushnje, niveli i ujit në rrugë kaloi 40 cm, duke bllokuar shumë mjete. Stuhia shkaktoi gjithashtu probleme në Lezhë, ku stacioni meteorologjik regjistroi mbi 45 mm shi, me përmbytje në lagjen 11 Janari.
Situata në Shkodër ishte më e lehtë, me stuhinë që zgjati rreth 20 minuta, ndërsa në Bulqizë, uji vërshoi rrugët pas reshjeve të rënda.
Durrësi përballet gjithashtu me vështirësi në rrugë, duke penguar lëvizjen e automjeteve dhe kalimtarëve. Moti i keq ka pezulluar aktivitetin e flotës së peshkimit.
Policia e Shtetit ka bërë thirrje për kujdes nga shoferët dhe këmbësorët gjatë lëvizjeve të tyre. Në Tiranë, një pemë e mbjellë rreth viteve ’70 është rrëzuar në zonën e Ish-Bllokut si pasojë e lagështirës, duke bllokuar rrugën, por pa shkaktuar lëndime.
Për shkak të reshjeve të para pas një periudhe të gjatë thatësire, disa rrugë në qytete janë mbuluar me ujë, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim, sidomos në bulevardet kryesore.
Si pasojë e këtyre kushteve, dhjetëra mjete kanë pësuar dëme, kryesisht nga djegia e motorëve. Autoritetet vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të japin udhëzime për sigurimin e qarkullimit.