Ashtu siç ishte parashikuar, edhe qyteti i Durrësit u zgjuar sot me mot me reshje.
Ndonëse jemi në stinën e verës, mëngjesi i 5 gushtit erdhi me shtrëngata e reshje të dendura shiu.
Kjo bëri që plazhi i Durrësit të boshatiset nga pushuesit dhe të shfrytëzohet për të bërë ecje në bregdet.
Siç duket edhe në videon e publikuar nga “DurrësLajm”, çadrat e shezlongëve qëndrojnë të mbyllura, ndërkohë që deti është ende i trazuar nga moti i paqëndrueshëm e rëra e lagësht.
Por pavarësisht kohës së papërshtatshme për rreze dielli, shitësit ambulantë nuk heqin dorë nga akitiviteti i tyre përgjatë bregdetit.
Pas periudhës së vështirë pas tërmetit dhe pandemisë, as moti nuk po e favorizon shumë zonën turistike të qytetit të Durrësit.
Zonë e cila në pikun e sezonit veror duket si në një ditë normale vjeshte me qiell të zymtë, ku dëgjohen vetëm përplasjet e dallgëve me bregun dhe jo zërat e qytetarëve.





