Moti i keq “goditi” shumë rajone të Greqisë mesditën e sotme, 20 gusht.
Në shumë vende banorët janë përballur me breshër, stuhi dhe përmbytje, ndërsa në disa zona janë shfaqur edhe vetëtima.
Volos: Stuhi e fortë dhe vetëtima e vazhdueshme
Një stuhi shumë e fortë ka përfshirë Volosin dhe periferitë gjatë mbrëmjes së sotme.
Stuhia e cila nisi në orën 21:25 (me orën lokale), karakterizohet nga reshje shumë të dendura shiu, erë e furishme dhe vetëtima të vazhdueshme, të cilat e kanë kthyer qiellin nga nata në ditë.
Rrugët e Volosit nga reshjet e dendura të shiut janë kthyer në lumenj, ndërsa në pallate janë thyer tendat dhe dukshmëria është jashtëzakonisht e kufizuar në të gjithë zonën.
Në të njëjtën kohë dëgjohen sirenat e automjeteve të Zjarrfikësve duke nxituar drejt rasteve ku kanë marrë thirrje për ndihmë.
Breshër dhe reshje të shkurtra në Imathia
Shira dhe breshër intensiv kanë ndodhur mesditën e së martës në Imathi.
Sipas raportit emergjent të motit të lëshuar nga Shërbimi Kombëtar i Meteorologjisë priten reshje shiu dhe stuhi, të cilat lokalisht do të shoqërohen me frekuencë të lartë të vetëtimave.
Breshëri në Veria ka qenë me përmasa të vogla, ndërsa në fshatrat e Naousës, sipas informacioneve, ka rënë si “gurë”.
“Mali” me breshër në Trikala
Breshëri ka rënë gjatë ditës së sotme në Trikala, ndërsa nuk kanë munguar erërat e forta dhe stuhia e fortë, e cila ka shkaktuar dëme të shumta në qytet.
Stuhi afatshkurtër dhe breshër në Larisa
Siç raporton faqja larissanet.gr, rreth orës 17:00 ka nisur të bjerë shi i dendur në Larisa. Stuhia e cila zgjati më pak se gjysmë ore është shoqëruar me rrufe, bubullima dhe për disa minuta breshër në qytet. Disa pjesë të qytetit janë dëmtuar dhe disa rrugë janë përmbytur.