Moti i keq ka sjellë problemet e para në vend, ku në disa akse ka prezencë të madhe uji, rëshqitje dherash dhe prezencë të mjegullës.
Shërbimet e Policisë Rrugore në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve të Policisë në qarqe, po marrin masa për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe vijueshmërinë e qarkullimit të automjeteve.
Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes, të qarkullojnë me shpejtësi të ulët, të vendosin rripin e sigurimit, të mos kryejnë për asnjë arsye parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të tregohen të vëmendshëm dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë dhe të autoriteteve të tjera shtetërore për rastet e bllokimit të rrugëve apo devijimin e lëvizjes.
Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë në gadishmëri të plotë dhe prezent në të gjitha akset rrugore, për t’iu ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve në nevojë.
Për çdo rast shërbimi i Policisë Rrugore është në gatishmëri për të siguruar rrjedhshmërinë e trafikut dhe dhënien e ndihmës automobilistike dhe në këtë kuadër Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.