Moti i keq ka përfshirë Greqinë duke shkaktuar kaos si dhe dëme të shumta materiale. Sipas burimeve nga mediat greke, dy persona humbën jetën në ishullin Limnos, ku situata paraqitet alarmante në orët e fundit, pasi stuhia “Bora” ka shkaktuar përmbytje të mëdha të cilat kanë sjellë dëme të mëdha materiale. Një tjetër ishull grek që po përjeton një situatë të vështirë për shkak të motit të keq është edhe ai i Rodosit. Rrjedha e lumenjve të furishëm të dalë nga shtrati mori në ishullin grek me vete dhjetëra automjete.
Mediat greke shkruajnë se kjo është situata më e vështirë në historinë e ishullit, pasi kurrë më parë nuk është parë një katastrofë e tillë natyrore. Në Selanik moti i keq ka krijuar shumë probleme në qytet pasi qarkullimi i mjeteve është ndërprerë në rrugët kryesore për shkak të rënies së pemëve dhe rrugëve të pushtuara nga uji.