Moti i keq dhe deti i trazuar i ditëve të fundit, që kanë përfshirë gjirin e Durrësit kanë dëmtuar sinjalistikën detare në port.

Si pasojë e forcës së detit 5 ballë dhe erës së fuqishme në kanalin hyrës, është këputur një nga bovat sinjalizuese, e cila pak minuta më parë ka përfunduar në bregdetin e Currilave, siç duket edhe në pamjet filmike që “DurrësLajm”, po publikon.

Bova është një nga 8 fenerët e vendosur për të orientuar hyrje-daljet e mjeteve të ndryshme detare për në port dhe anasjelltas. Sipas burimeve nga Kapiteneria e portit, këputja e njërit prej fenerëve nuk bëhet pengesë për lundrimin e mjeteve detare, që hyjnë dhe dalin nga kanali i portit më të madh në vend.

Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe në muajin tetor të vitit që lamë pas, kur një tjetër fener u shkëput dhe përfundoi në Currila.

Pritet që bova e këputur sot të rikuperohet nga Shërbimi Hidrografik Shqiptar (SHHSH) i Forcës Detare dhe të rivihet në pozicionin e saj, në fillim të kanalit hyrës të portit.