Moti i keq që ka mbizotëruar edhe në 7 bashkitë e Qarkut të Elbasanit ka krijuar probleme të shumta në furnizimin me energji elektrike në shumicën e fshatrave malorë të bashkive Elbasan, Prrenjas,Gramsh e Librazhd ku era e fortë dhe reshjet e dendura të dëborës kanë dëmtuar pjesë të konsiderueshme të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike si edhe mjaft shtylla të tensionit të mesëm.
Trashësia e dëborës mbrëmjen e kësaj të shtune në disa fshatra malorë të këtij qarku ka arritur të paktën 40 cm. Në bashkinë e Librazhdit për shkak të trashësisë së madhe të dëborës janë bllokuar rrugët në fshatin Kostenjë në Njësinë Administrative Lunik, në Qafë Dardhë në Njësinë Adminitrative Polis në ,Qarrishtë në Njësinë Administrative Qender, në Lagjen Mali i Xhyrës të Njësisë Administrative Hotolisht.
Në bashkinë e Librazhdit segmenti i rrugës Lunik-Steblevë aktualisht i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Ndërkohë ka mungesë të energjisë elektrike në disa nga fshatrat e Njësisë Administrative Hotoloshisht dhe në fshatrat Gurshpatë e Vilan në Njësinë Administrative Polis .
Qyteti i Prrenjasit dhe fshatrat e kësaj bashkie janë mbuluar të gjithë nga dëbora, ndërsa temperaturat janë ulur ndjeshëm duke e bërë mjaft të vështirë lëvizjen jo vetëm të automjeteve, por edhe të këmbësorëve.
Edhe qarkullimi në rrugën kombëtare Elbasan-Librazhd -Prrenjas -Qafë Thanë për shkak të motit të keq dhe me reshje vazhdon të mbetet i rrezikshëm pasi në mjaft segmente ka rënie të vazhdueshme të dherave e gurëve .Për përballimin e kétyre problematikeve janë në terren shërbime të përforcuara të policisë rrugore,emergjencat civile të cilat monitorojnë situatën dhe ndërhyrje në kohë kudo ka nevojë.