Dy tragetet e parashikuara të udhëtonin drejt portit të Barit mbrëmjen e sotme e kanë shtyrë nisjen për mëngjesin e së shtunës.
Autoritetet portuale, duke parë kushtet e pafavorshme të motit, për shkak të detit të trazuar me fuqi 6-7 ballë, kanë urdhëruar shtyrjen e nisjes për në orën 06.00 të së shtunës.
Dy tragetet “Bari” dhe “AF Francesca” do të qëndrojnë mbrëmjen e sotme të ankoruar në kalatë dhe vetëm nesër, pas qetësimit të detit, do të nisen drejt portit të vendit fqinjë.
Ndërkohë, DurrësLajm mëson nga burime nga terminali i trageteve se dy mjetet lundruese nga porti i Barit do të nisen mbrëmjen e sotme dhe pritet të mbërrijnë mëngjesin e së nesërmes. Të njëjtat burime saktësojnë se në portin italian, situata sinoptike është më e favorshme prandaj dhe tragetet do të vijojnë udhëtimin në orarin e programuar.
Që nga paraditja e sotme, gjiri i Durrësit u përfshi nga një erë e fortë me dreejtim jug-jugperëndim, gjë që shkaktoi det të trazuar dhe dallgë të mëdha.
Referuar burimeve portuale, DurrësLajm lajmëroi disa ditë më parë se duke nisur nga dita e premte deri të hënën gjiri i Durrësit do te ishte nen “pushtetin” e motit te keq.





