Përkeqësimi i kushteve atmosferike gjatë kësaj të mërkure ka bërë që flota e peshkimit në Durrës të mos dalë në det deri në normalizimin e situatës.
Deti ka arritur forcën 5 ballë, ndërsa era fryn në drejtimin jug. Por nëse në portin e Durrësit të gjitha veprimtaritë e tjera portuale vijojnë normalisht, krejt e kundërta ndodh në Vlorë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, për shkak të motit të keq nga data 20 deri më 23 nëntor, është ndaluar pajisja me leje-nisje e mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit.
Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
Njoftimi i plotë:
Njoftim për kushtet hidrometeorologjike të përkeqësura gjatë datave 20-23.11.2024 !
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 20-23.11.2024 duke filluar nga ora 12:00 datë 20.11.2024 në drejtimin JUG-JUG-PERËNDIM dhe VERI-VERI-PERËNDIM, në forcën deri 6-7bft me shpejtësi ere deri 15-20m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.00 metra.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmerisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
1.ËSHTË NDALUAR PAISJA ME LEJE-NISJE I MJETEVE TE VOGLA LUNDRUESE DHE ATO TE PESHKIMIT TË CILAT OPEROJNË NË DET TË HAPUR DUKE FILLUAR NGA ORA 12:00 DATË 20.11.2024.
2.Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalishtë sipas destinacioneve përkatëse.
3.Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 18:00 të datës 23.11.2024.