Nga orët e pasdites së të mërkurës që moti filloi të përkeqësohej në bregdetin shqiptar, erërat e forta nga drejtimi jug-perëndim gjatë natës, janë kthyer këtë mëngjes në drejtim të jugut, bënë me dije burime nga Kapitaneria për DurrësLajm.

Aktualisht në portin e Durrësit nuk ka asnjë anije ne radë, ato janë ankoruar në port për të shmangur ndonjë incident për shkak të kushteve të motit.

Deri më tani nuk raportohen problematika, ndërsa për dy ditë me radhë (30 dhe 31 mars) është pezulluar lundrimi me traget nga Durrësi drejt Barit dhe anasjellas. Po ashtu është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla lundruse dhe mjeteve të peshkimit.

Sipas një njoftimi që nxori një ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme Detare, bregdeti shqiptar do të përfshihet nga era me shpejtësi deri në 20m/s dhe lartësia e dallgës së detit arrin në 2.50 deri 4.00 m ku forca e detit shkon 5-6 deri 7-8 ballë.

Kushtet e motit pritet të përmirësohen në datën 1 prill 2022 mbas orës 22:00.