Edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën në terren dhe funksionimin e strukturave shëndetësore në të gjithë vendin, për shkak të kushteve të motit.

Nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë me 36 NJVKSH-të dhe 4 Drejtoritë Rajonale, ministria deklaroi se po sigurohet raportim i detajuar dhe i përditësuar mbi gjendjen e qendrave shëndetësore, pikave ambulatore dhe strukturave spitalore.

Ndërkohë, janë marrë masat e nevojshme për ofrimin e kujdesit shëndetësor të pandërprerë dhe të sigurt për qytetarët gjatë këtyre ditëve me mot të keq.

Në nivel spitalor janë marrë disa masa si për shembull aktivizimi i plotë i shërbimit të urgjencës në gatishmëri 24/7.

Çdo tre orë bëhet një monitorim i situatës dhe kontroll i vazhdueshëm i infrastrukturës. Po ashtu po bëhet një verifikim i rezervave kritike, medikamente, materiale mjekësore, ujë të pijshëm, karburant për gjeneratorë dhe pajisje emergjente.