Policia ka shtuar prezencën e uniformave blu në akset rrugore për shkak të reshjeve të shiut në të gjithë vendin me qëllim parandalimin e aksidenteve.
Ajo i bën apel drejtueseve të automjeteve që të respektojnë sinjalistikën, të moderojnë shpejtësinë dhe të vendosin rripin e sigurimit.
“Drejtuesit e automjeteve dhe të motomjeteve të ndjekin dhe të zbatojnë me rigorozitet udhëzimet e Policisë Rrugore dhe të telefonojnë në numrin 112, për problematikat që mund të hasin gjatë udhëtimit të vështirësuar për shkak të motit të keq”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë
Për shkak të motit të keq, në disa segmente rrugore ka prezencë të ujit dhe në këto kushte mund të rritet rreziku i përfshirjes në ngjarje rrugore.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Policia e Shtetit ka rritur prezencën e shërbimeve të Policisë, në akset rrugore, duke monitoruar qarkullimin nëpërmjet makinave inteligjente, radarëve automatikë, mjeteve të tjera logjistike, si edhe me mjete të paloguara.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, që të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit.
Drejtuesit e automjeteve dhe të motomjeteve të ndjekin dhe të zbatojnë me rigorozitet udhëzimet e Policisë Rrugore dhe të telefonojnë në numrin 112, për problematikat që mund të hasin gjatë udhëtimit të vështirësuar për shkak të motit të keq.