Moti i keq po krijon probleme edhe në lëvizjen e trageteve. Mbrëmjen e sotme, dy mjetet lundruese Rigel 7 dhe GNV Blue do të nisen një orë më herët nga orari i parashikuar, për të evituar që përkeqësimi i motit t’i kapë në det të hapur.

Burime nga Kapitaneria e portit bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se dy tragetet në fjalë do të nisen një orë më herët, ndërkohë që mëngjesin e së martës, do të mbërrijnë një orë më herët në port dy tragetet që udhëtojnë nga Bari, Rigel 3 dhe AF Marina.

Mëngjesin e nesërm, ato pritet të ankorohen rreth orës 07.00, ndryshe nga si ndodh zakonisht kur mjetet lundruese mbërrijnë rreth orës 08.00 në portin më të madh në vend.

Duke nisur nga ora 12.00 e ditës së nesërme, gjiri i Durrësit pritet të përfshihet nga mot i keq.

Përkeqësimi i kushteve atmosferike do të shoqërohet me det me dallgëzim 7 ballë dhe erë që do të fryjë në drejtimin jugperëndim.

Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, dy netë më parë, (të shtunë) APD njoftoi se anulohej udhëtimi me traget gjatë orëve të natës, ndërkohë që do të rifillonte mëngjesin e së dielës.

Përmirësimi i kushteve të motit pritet mbas orës 10:00 të datês 23 nëntor 2022.

Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme Detare ka dalë me një njoftim përsa i përket situatës në të gjitha portet e vendit.