Ashtu siç ishte parashikuar, Durrësi është përfshirë mëngjesin e sotëm nga moti i keq me reshje shiu dhe erë të fortë, çka ka shkaktuar probleme me lundrimin në det.
Në portin e Durrësit është pezulluar aktiviteti në sektorin e ngarkim-shkarkimit.
Kapiteni i përgjithshëm i Kapitanerisë ka marrë masat dhe ndërkohë që po monitorohet situata, ka urdhëruar pezullimin e anijeve të tonazhit të ulet e të mesëm, si dhe pezullimin deri në një urdhër të dytë të të gjithë sektorit të peshkimit në vend.
Ndërsa tragetet e linjës Bari-Durrës dhe Ankona-Durrës, priten të mbërrijnë rreth darkës në portin e Durrësit.
Sipas Kapitanerisë, forca e detit arrin deri në gjashtë-shtatë ballë në gji, ndërsa arrin deri në tetë ballë në det të hapur.





