Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës kanë krijuar vështirësi në disa akse rrugore në vend, por Ministria e Mbrojtjes siguron se po punohet intensivisht për të mbajtur rrugët të hapura.
Sipas përditësimit zyrtar të datës 6 prill ora 21:00, aktualisht:
• Në “Rrugën e Kombit” po punojnë 27 mjete borëpastruese, duke e mbajtur të kalueshëm të gjithë aksin.
• Në Qafë Thanë dhe në aksin Zgosht–Ura e Çerenecit, ka prezencë dëbore deri në 10 cm, por pastrimi është në vijim.
• Në Korçë, Dibër dhe Kukës, dëbora ka përfshirë zonat mbi 500-700 m mbi nivelin e detit, me trashësi që arrin deri në 15 cm. Rrugët janë të kalueshme, por kërkohet kujdes.
• Në Bogë–Theth, rruga është e aksesueshme vetëm për mjete me zinxhirë, ndërsa në Tamarë–Vermosh rekomandohen goma dimërore dhe zinxhirë.
Nga ana tjetër, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave normale dhe nuk paraqesin rrezik për përmbytje.
Për nesër, 7 prill, parashikohen reshje të dobëta deri mesatare, me dëborë në zonat mbi 500 metra. Temperaturat do të variojnë nga -4°C në zonat malore deri në 13°C në zonat e ulëta.
Ministria thekson se situata është nën monitorim të vazhdueshëm, dhe strukturat e mbrojtjes civile janë në gatishmëri për të përballuar çdo emergjencë.