Moti i keq që ka goditur gjirin e Durrësit këtë të premte bëhet shkak për pezullimin e përkohshëm të lundrimeve të trageteve drejt Barit dhe anasjelltas.
Burime nga kapiteneria e portit të Durrësit, duke iu referuar situatës hidrometeorologjike në të gjithë rajonin e Adriatikut bëjnë të ditur se në orët në vazhdim forca e erës do të jetë 20-30m/s, ndërsa dallgëzimi në det të hapur është 6-8 ballë, me lartësi dallge deri në 3.5 metra.
E ndërsa tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas pritet t’u rikthehen udhëtimeve ditën e shtunë, trageti i linjës Durrës-Ankona do të vijojë lundrimin normalisht, sipas parashikimit.
Ndërkohë, referuar njoftimit të bërë nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, mjetet e vogla lundruse dhe flota e peshkimit nuk mund të lundrojë duke nisur nga ora 12.00 e datës 17 nëntor e deri më 19 nëntor.
Kushtet meteorologjike nisën përkeqësimin mbrëmjen e së enjtes, ndërkohë sipas parashikimeve të sinoptikanëve, fundjava që kemi para do jetë tepër e ftohtë dhe temperaturat do ulen deri në -4 gradë në zonat malore, si pasojë e një fronti të ftohtë, qendra e presionit të ulët të të cilit prek Slloveninë, Italinë, Zvicrën dhe vendin tonë.
Reshjet e shiut do të jenë të pranishme deri ditën e nesërme dhe do të fillojnë sërish ditën e martë.
M.B.