Mbrëmja e së mërkurës është shoqëruar me reshje shiu në Durrës, që janë intensifikuar mëngjesin e sotëm, por pa krijuar problematika përmbytjesh në qytet
Ndërkohë, si pasojë e motit të paqëndrueshëm është pezulluar lundrimi i trageteve të linjës Durrës – Bari dhe anasjelltas, ndërkohë që linja e Ankonës do të vijojë të funksionojë normalisht.
Kapiteneria e portit të Durrësit konfrimon se mbrëmjen e sotme nuk do të ketë lundrime nga të dyja drejtimet, si nga porti i Barit, ashtu dhe nga i Durrësit, pasi porti italian i ka pezulluar veprimtaritë portuale për shkak të motit të keq në brigjet e vendit fqinjë dhe forcës së detit 7-8 ballë.
Që nga mbrëmja e së mërkurës, të gjitha anijet e flotës së peshkimit në Durrës ndodhen të ankoruara në port, në pritje të përmirësimit të kushteve të motit.
Ndërkohë, sektori i ngarkim-shkarkimit në portin më të madh në vend vijon të funksionojë normalisht.
Njoftimi i APD:
Njoftim
02.10.2025
Anulohen lundrimet nga/drejt Durrësit
Autoriteti Portual Durrës informon se, për shkak të kushteve të motit në Detin Adriatik, lundrimet e parashikuara për ditën e sotme në linjën Durrës–Bari dhe Bari–Durrës janë anuluar.
Ndërkohë, trageti i linjës Ankona–Durrës do të niset sipas programit pasditen e sotme nga Ankona, me mbërritje në Portin e Durrësit ditën e nesërme.
Autoriteti Portual Durrës do të vijojë të informojë publikun dhe udhëtarët në kohë reale për çdo ndryshim të orareve të lundrimeve.





